Korçë, 13 korrik 2014 – Gazetarja e televizionit News 24 Enkelejda Skënderasi, ka humbur jetën në një aksident rrugor, teksa ndodhej në krye të detyrës gjatë aktivitetit të “100-vjetorit të Panarit” në Korçë.
Gazetarja, e cila mbulonte rrethin e Korçës, u aksidentua për vdekje teksa shkonte në këtë aktivitet së bashku me kolegë të tjerë, për të transmetuar ngjarjen për publikun. Fatkeqësisht misioni i saj është ndërprerë, teksa makina me të cilën korrespondentja Skënderasi dhe tre kameramanë të televizionit shkonin drejt fshatit të Panaritit, ka dalë nga rruga.
Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 12:45 të kësaj të diele në degëzimin e fshatit Panarit-Vithkuq. Automjeti tip “Fuoristradë” me targë AA679EIM me të cilin po udhëtonte Enkelejda ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga 20 metra lartësi. Gazetarja Skënderasi 29 vjeç gjeti vdekjen e menjëhershme. Ne makinen e perfshire ne aksident ndodheshin edhe 4 persona te tjere, te cilet kane marre vetem plage te lehta.
Kush ishte Enkeleda Skënderasi?
Enkelejda Skënderasi ka lindur ne qytetin e Korçës më 1 tetor të vitit 1985. Pas përfundimit të studimeve në degën Filozofi-Sociologji në Universitetin ‘Fan Noli’ të qytetit juglindor Enkelejda do të niste të ushtronte profesionin e gazetares. Fillimisht në media lokale. Në tetor të vitit 2009, Enkelejda do të niste punë si gazetare e Tv News24, ku mbulonte me informacion gjithë Qarkun e Korcës, përfshi Korçën, Pogradecin, Ersekën.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





