Durrës, 13 korrik 2014 – Task forca e Prokurorisë së Durrësit, krahas hetimit penal për 8 zyrtarët e komunës Rrashbull, nisi hetimin pasuror ndaj tyre, pasi mendohet se 15 lejet e ndërtimit në zonën e Shkëmbit të Kavajës, i kanë dhënë kundrejt përfitimeve materiale.
Sipas akuzës, është kërkuar nga Hipoteka verifikimi dhe identifikimi i pronave të paluajtshme që mund të kenë të dyshuarit si dhe familjarët e tyre. Njëkohësisht është kërkuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë, që në mënyrë analitike të japin të dhëna për llogaritë bankare.
Prokurorët thanë se në bazë të kallëzimit të policisë, hetimet kanë nisur në shkurt të ketij viti, ku janë konstatuar 15 leje ndërtimi të dhëna në zonen e rërës, në të cilën nuk lejohet absolutisht ndërtimi. Këto leje janë miratuar vetëm pak ditë para vendimit të shtatorit të 2011, qe urdhëronte pezullimin e lejeve të ndërtimit me vendim të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë deri përfundim të studimit të planit të përgjithshëm.
Arrestimi i 8 të dyshuarve është bërë me vendim gjykate, ku 5 prej tyre janë lënë në "arrest me burg" ndërsa 3 të tjerë janë liruar me masën “detyrim për paraqitjeje”. Pas ndalimit nga policia, asnjëri prej të dyshuarve nuk ka pranuar të japë shpjgime për akuzën e "shpërdorimit të detyrës" të ngritur ndaj tyre.
Pak kohe me pare, INUK hodhi ne ere me shperthim te telekomanduar nje pallat 9 katesh, qe po ngrihej nga biznesmeni i ndertimit Enver Shaba, ne zonen e Shkembit te Kavajes. Krahas shembjes se pallatit te ndertuar pa leje u arrestua biznesmeni ne fjale si dhe inspektori vendor i komunes Rrashbull, Fiqiri Dema me akuzat respektivisht "Ndertim pa leje" dhe "Shperdorim detyre".
Lejet për 15 pallatet u firmosën në mars dhe shtator 2011
Në 15 praktikat e sekuestruara konstatohen të njëjtat shkelje si në rastin e subjektit ”E..” sh.p.k, duke dhënë leje dhe rikondicionuar kushtet e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit në kundërshtim me ligjin dhe vendimin nr. 2 datë 21.11.2006 i KRRTRSH “Për miratimin e detyrës se projektimit për studimin e integruar te zonës turistike Rrashbull – Golem- Karpen” . Nga analiza e fakteve, konstatohet se gjatë procedurës së miratimit të shesheve për ndërtim dhe dhënies së lejeve të ndërtimit në favor të subjekteve të cituara, nga të gjithë anëtarët e KRRT së Komunës Rashbull që kanë marrë pjesë në mbledhjet e datës 21.03.2011 dhe 28.09.2011, janë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal. Subjekte të kësaj vepre penale janë shtetasit Hysen Gashi, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Komunës Rrashbull dhe njëkohësisht Kryetar i kësaj komune, bashkë me 7 funksionarë të tjerë të kësaj komune. Këto shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin duke ditur se nuk kanë të drejtë për të dhënë leje ndërtimi kanë kryer me dashje veprime të paligjshme duke miratuar dhënien e lejeve të ndërtimit në mos përmbushje të rregullt të detyrës, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtimin e interesave të shtetit duke masivizuar zonën jashtë çdo kriteri ligjor pa një vizion të qartë për një zhvillim të qëndrueshëm turistik dhe urban.
Si u devijua projekti i miratuar në 2006-ën për ‘Rashbull-Golem-Karpen’
Në zbatim të Vendimit të KRRTSH nr. 4, datë 01.06.2006 është miratuar detyra e projektimit të Zonës për Zhvillimin e Turizimit Rrashbull- Golem- Karpen e mbështetur në aktet ligjore të fushës së urbanistikës. Detyra e projektimit kishte si objektiv që të parashtrojë problematikat dhe të dhënat e nevojshme për të realizuar studimin e integruar të zonës me një vizion të qartë për një zhvillim të qëndrueshëm turistik dhe urban për të përballuar zhvillimin e zonës pa kompromentuar resurset dhe avantazhet e saj. Në përfundim të studimit është miratuar detyra e projektimit me vendimin nr. 2 datë, 21.11.2006 i KRRTRSH “Për miratimin e detyrës se projektimit për studimin e integruar të zonës turistike Rrashbull – Golem- Karpen”. Në pikën ”2” të këtij vendimi vendoset: “Të mos parashikohen ndërtime në zonën në anën perëndimore të rrugës nacionale Durrës – Kavajë në zonën e ‘Shkëmbit të Kavajës’ dhe në pikën “5” është vendosur që: Objektet në proces ndërtimi të trajtohen sipas kritereve të përcaktuara në lidhjen nr. 1, pika ”3” e saj përcaktohet: “Te pezullohet dhënia e lejeve të reja të ndërtimit deri ne miratimin e studimit të ri urbanistik të zonës turistike Rrashbull – Golem – Karpen”.
Dokumentet e abuzimeve
Pas administrimit të dokumentacionit është konstatuar se njësia e urbanistikës kishte detyrimin që të mbante aktet e kontrollit për këto faza të realizimit të punimeve: për piketimin e objektit, përfundimin e themeleve dhe të karabinasë, si dhe arkivon dokumentacionin teknik të objektit dhe dokumentet e tjera.
Nga aktet e administruara ka rezultuar se njësia e urbanistikës nuk kishte mbajtur asnjë nga aktet e mësipërme të zhvillimit të gjithë fazave të ndërtimit, duke lejuar që ndërtimi të ndërtohej pa u mbikëqyr nga strukturat e urbanistikës së Komunës. Strukturat e urbanistikës nuk kishin asnjë akt në lidhje me fazat e ndërtimit. Nga përfaqësues të INUV-it të komunës, janë mbajtur disa akte, për konstatimin e kateve shtesë mbi lejen e ndërtimit, të cilat janë fiktive pasi asnjë nga këto akte nuk rezulton t’i jenë njoftuar subjektit ndërtues, pasi sipas ligjit njësia e urbanistikës në bashkëpunim dhe me policinë e komunës, nuk duhet të kishin lejuar ndërtimin e kateve pa leje. Në këto kushte është vlerësuar se leja e dhënë për subjektin ”E.” sh.p.k, është në kundërshtim me kriteret ligjore është proceduar me regjistrimin e emrit shtetasit Hysen Gashi në cilësinë e kryetarit të KRRT dhe Viktor Ndreka në cilësinë e Drejtorit të Urbanistikës dhe sekretarit të KRRT, si persona që iu atribuohet vepra penale ”Shpërdorimi i detyrës”. Në vazhdimësi të hetimeve është sekuestruar procesverbali i mbledhjes së KRRT së Komunës Rashbull. Nga këqyrja e këtij dokumenti është konstatuar se KRRT- ja, e kësaj Komune kishte dhënë dhe leje të tjera në kundërshtim me kriteret ligjore të përshkruara më sipër ku nga ana jonë është proceduar me sekuestrimin e 15 praktikave për dhënie leje për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi për subjekte të ndryshme, për ndërtime në zonën “Shkëmbi Kavajës” Durrës, në anën perëndimore të rrugës nacionale Durrës – Kavajë, pra në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”.
Shkeljet, ja 15 ndërtimet abuzive te “Shkëmbi i Kavajës”
1. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin “K….K…..” dhënë me vendimin e KRRT Komuna Rrashbull, viti 2011 për objektet 9 kate + papafingo + garazhd, 8 kate + papafingo + garazhd dhe 7 kate + papafingo + garazhd.
2. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin ”D….K……” dhënë me vendimin e KRRT Komuna Rrashbull, viti 2011, për ”Godinë banimi 7 kat + 1 kat njësi shërbimi + papafingo + 1 kat nën tokë” në një truall me sipërfaqe 1070 m2, në pronësi të familjes D…..
3. Praktika e dhënies se lejes se sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin ”P….K.” dhënë me vendimin e KRRT Komuna Rrashbull, viti 2011, objekt ‘Godinë banimi dhe shërbimi 9 kate( 1 kat shërbim dhe 8 kate banim) + 1 kat nën tokë, me një koeficient shfrytëzimi 78 %.
4. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011, për subjektin ”K.K”sh.p.k, në truallin me sipërfaqe 600 m2 në pronësi të S.Sh., për objektin ”Godinë shërbimi me funksion hotel 1-6 kat + 1 kat nën tokë”
5. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011, për subjektin ”E…..””sh.p.k, në truallin me sipërfaqe 300 m2, për objektin ”Rikondicionim të sheshit dhe leje ndërtimi për objektin godinë banimi 6 kat + 1 kat shërbime” me koeficient shfrytëzimi 46.7 %.
6. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011, për subjektin ”G.S.”sh.p.k, në truallin me sipërfaqe 1674 m2, për objektin Hotel 7 kat + 1 kat Restorant + 1 kat sallë konferencash + 1 kat nën tokë” me koeficient shfrytëzimi 35.6 %.
7. Praktika e miratimit të sheshit dhe dhënies së lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011për subjektin “K….K.” sh.p.k në truallin me sipërfaqe me 600 m2, për objektin ”Godinë banimi dhe shërbimesh 8 kat + garazh”.
8. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin ”E.” sh.p.k, për objektin ”shtesë 1 kat mbi objektin 7 kat + garazh” dhënë me vendimin e KRRT, Komuna Rrashbull, viti 2011.
9. Praktika e miratimit të sheshit dhe dhënies së lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011për subjektin “XH.” sh.p.k në truallin me sipërfaqe me 1900 m2, për objektin “Shtesë 2 kate mbi objektin banesë 4 kat + 1 kat dyqane + papafingo + garazh”.
10. Praktika e miratimit të lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011 në favor të subjektin “XH..” sh.p.k në truallin me sipërfaqe me 625 m2, për objektin “Rikondicionim i sheshit dhe shtesë 2 kate mbi objektin 5-6 kat”.
11. Praktika e miratimit të lejes së ndërtimit me vendimin e vitit 2011 në favor të subjektin “K.K.” sh.p.k në truallin me sipërfaqe me 300 m2, për objektin ‘Godinë banimi dhe shërbimesh 8 kate + papafingo + 1 kat nën tokë”.
12. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit, dhënë me vendimin e vitit 2011, për subjektin ”E…A…K” në truallin me sipërfaqe 600 m2, për objektin “Godinë banimi dhe shërbimesh 8 e 9 kat + 1 kat parkim nën tokë”.
13. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit dhënë me vendimin e vitit 2011, për subjektin ”E…A…K” në truallin me sipërfaqe 600 m2, për objektin “Godinë banimi dhe shërbimesh 8 e 9 kat + 1 kat parkim nën tokë”.
14. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin “L.”, me objekt rikondicionimi dhënë me vendimin e KRRT, Komuna Rrashbull, e vitit 2011
15. Praktika e dhënies së lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit për subjektin R. K. dhënë me vendimin e KRRT, Komuna Rrashbull, viti 2011.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





