Itali, 13 korrik 2014 – Pesë shtetas shqiptarë të akuzuar për 11 grabitje në disa vila në krahinën e Peruxhias midis viteve 2010-2011, përfshirë edhe vilën e ish trajnerit të Peruxhias, Serse Cosmi janë shpallur të pafajshëm (ne foto nga e majta trajneri Cosmi, nga e djathta shqiptari i njohur me pseudonimin "Sy akulli").

Gjykata e Peruxhias i ka deklaruar të pafajshëm shqiptarët, pas sipas saj, nuk ka prova të përfshirjes së tyre në këto grabitje. 

Gjyqtari e lexoi vendimin në fund të një seance, e cila zgjati më shumë se 5 orë. Për pesë shqiptarët u urdhërua lirimi i menjëhershëm, nëse mbi ta nuk rëndojnë akuza të tjera.

Prokurori Giuseppe Petrazzini kishte kërkuar dënime nga 16 deri në 30 vjet për 5 shqiptarët, 30 për atë që njihej me nofkën “Syakulli.”

Në pranga, dhe prej disa muajsh në burg, ishin Gëzim Kuka, i cili konsiderohej edhe lideri i bandës, Altin Hoxha, apo i njohur ndryshe si “Syakulli”, i cili u arratis nga burgu “Regina Coeli” dhe u kap sërish në Shqipëri, Gjolek Ballshani, Leo Ndreu dhe Artan Duda.

Një prej viktimave të grabitjeve, ish trajneri i Peruxhias, Serse Cosmi menjëherë pas vendimin është shprehur se ka mbetur mjaft i “zhgënjyer”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/