Durrës, 13 korrik 2014 – Abuzimet me ndërtimet në zonën e plazhit tek “Shkëmbi i Kavajës” në Durrës kanë çuar në qeli kryekomunarin e Rrashbullit si dhe katër funksionarë të kësaj komune. Hysen Gashi, 57 vjeç, me detyrë kryetar i komunës Rrashbull, si dhe katër funksionarë të komunës u arrestuan ditën e djeshme, pasi akuzohen për “shpërdorim detyre”.
Hetimet në ngarkim të pesë zyrtarëve nisën në shkurt të këtij viti pas një telefonate të mbërritur në sallën operative të Policisë së Durrësit se po ndërtohej një kat pa leje në një ndërtim tek “Shkëmbi i Kavajës”. Pas kontrollit ka rezultuar se objekti ishte 10 kate dhe mbi katin e 10 të ndërtesës, në të gjithë hapësirën gjendej një armaturë me skela dhe dërrasa me qëllim ngritjen e katit të 11-të. Gjithashtu mbi katin e 10 të ndërtesës është gjendur dhe një vinç i cili përdorej për ngritjen e materialeve të ndërtimit. Më pas, nga hetimi, prokuroria arriti të zbulojë se jo vetëm kati, por i gjithë pallati ishte ndërtuar në bazë të një lejeje të kundërligjshme.
Gjithashtu u zbulua gjatë hetimit paraprak se, edhe të paktën 15 praktika të tjera të lejeve të ndërtimit, janë dhënë nga komuna Rrashbull në kundërshtim me ligjin. “Në përfundim të hetimeve paraprake, prokuroria ka krijuar bindjen e arsyeshme se zyrtarët e komunës Rrashbull kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” deklaroi dje organi i akuzës.
Këto praktika janë dhënë gjatë dy viteve të fundit, ndërsa denoncimi është kryer nga banorët e zonës në shkurt të këtij viti.
Sipas prokurorisë tetë zyrtarë të komunës Rrashbull, Durrës, pesë prej të cilëve u arrestuan kanë dhënë leje për ndërtim objektesh shumëkatëshe në kundërshtim flagrant me ligjin, në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”, në pjesën e rërës, në të cilën nuk lejohet ndërtimi, bazuar në vendimet përkatëse të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë.
Në momentin e arrestimit kreu komunës Hysen Gashi ka mohuar akuzën. Ai u izolua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Durrësit ku dhe është marrë në pyetje.
Prokuroria e Përgjithshme deklaroi dje se zyrtarët e komunës Rrashbull në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke ditur se nuk kanë të drejtë për të dhënë leje ndërtimi kanë kryer me dashje veprime të paligjshme duke miratuar dhënien e lejeve të ndërtimit në mos përmbushje të rregullt të detyrës.
Sipas prokurorisë, në vazhdimësi të hetimeve u sekuestrua procesverbali i mbledhjes së KRRT së Komunës Rashbull. Nga verifikimi i këtij dokumenti u konstatua se KRRT- ja, e kësaj Komune kishte dhënë dhe leje të tjera në kundërshtim me kriteret ligjore. Organi i akuzës sekuestroi 15 praktika për dhënie leje për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi për subjekte të ndryshme, për ndërtime në zonën “Shkëmbi Kavajës” Durrës, në anën perëndimore të rrugës nacionale Durrës-Kavajë në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Të akuzuarit:
Hysen Gashi, Kryetar i Komunës Rrashbull (kryetar i KRRT), arrest me burg
Viktor Ndreka, Drejtues i Njësisë së Urbanistikës, arrest me burg
Vasil Gjoni, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull, arrest me burg
Sabri Troci, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull, arrest me burg
Erifili Theollari, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull, detyrim paraqitje
Nevjana Isufi, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull, detyrim paraqitje
Fatjon Aliaj, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull, detyrim paraqitje
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





