Brazil, 13 korrik 2014 – Një vend i çmendur për kombëtaren e tij. Janë turma të tëra argjentinasish që kanë zbarkuar në Brazil për të çuar “La Selecion" në çatinë e Botës. Rio De Janeiro bëhet gati për pushtimin nga plot 100 mijë argjentinasit që po zbarkojnë aty me të gjitha mënyrat, aeroplanë, autobuzë, rulote e madje dhe motorë Vespa. Mijëra kilometra për të mbështetur Argjentinën e parë Messin tek zë vendin e Maradonës.

Shumë pak prej tyre kanë një biletë për finalen, paketat e fundit që përfshijnë gjithçka, charterin, hotelin dhe biletën janë blerë brenda pak minutash secila prej tyre kushtonte 100 mijë Pesos, rreth 9 mijë euro. Ka njerëz që janë gati të paguajnë shtëpinë për të parë atë që shpresojnë, fitoren ndaj Gjermanisë dhe triumfin Botëror në shtëpinë e rivalëve brazilianë.

Megjithatë shumica e tifozëve do të mbeten jashtë “Maracanas” duke rritur frikën për incidentet e mundshme, dhe policia braziliane ka rritur prezencën në rrugët e Rio-s, ndërkohë që për finalen është parashikuar operacioni i sigurisë më i madh i Botërorit, ku do të përfshihen mbi 26 mijë forca të sigurisë, përfshirë këtu ushtarë e policë që angazhohen këtë të dielë për të siguruar rendin.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/