Brazil, 12 korrik 2014 – Botërori 2014 do të mbyllet me një prej ndeshjeve më klasike të këtij aktiviteti, Gjermani-Argjentinë, për herë të tretë përballë në një finale, për herë të shtatë në historinë e turneut. Kjo është padyshim një nga sfidat më emocionuese në Botërorë, pasi këto dy skuadra ndaj njëra-tjetrës kanë shfaqur një rivalitet që është pasqyruar me gjithçka: gola të shkëlqyer, kartonë të kuq, zënka, turpërime, penallti dhe tension nga sekonda e parë, deri në të fundit. Të dielën, stadiumi “Marakana” do të jetë arena e radhës së përballjes mes gjigantëve, ku bilanci historik sheh Gjermaninë triumfuese.
Suedi 1958
RFGJ-Argjentinë 3-1
RFGJ, mbajtëse në fuqi e trofeut, filloi mbrojtjen e titullit me një fitore 3-1 përballë Argjentinës, duke përmbysur avantazhin e latino-amerikanëve me Korbata falë golave të Rahn (2) dhe Zeler. Ndeshja hyri në histori edhe për faktin se argjentinasit luajtën me fanellat e skuadrës IFK Malmo, pasi kishin harruar të merrnin të tyret më vete.
Angli 1966
RFGJ-Argjentinë 0-0
Pas fitoreve në ndeshjen e parë në grup, të dyja skuadrat menduan më shumë për kualifikimin duke ndarë qetësisht nga një pikë. Ironikisht, të dyja ekipet u eliminuan nga Anglia: Argjentina në çerekfinale e Gjermania në finale.
Meksikë 1986
Finalja
Argjentinë-RFGJ 3-2
Sfida mes dy ekipeve mbajti deri në vitin 2010 rekordin e kartonëve të verdhë në një finale, me 6 të tillë. Por ato që do të kujtohen më gjatë janë golat e shënuar dhe triumfi i legjendës Maradona. Kur mbeteshin vetëm 15 minuta për t’u luajtur, Argjentina po fitonte 2-0 falë golave të Hose Luis Braun dhe Horge Valdano. Por brenda pak minutash, Karl-Hainz Rumenige dhe Rudi Fëler vendosën baraspeshën në shifra. Më pas, dëshira e gjermanëve për të mbyllur ndeshjen u ndëshkua nga Maradona, i cili me hapësirën e parë që iu la, dërgoi një pasim të artë për Burruçagën, i cili shënoi golin e fitores.
Italia 1990
Finalja
RFGJ-Argjentinë 1-0
Skuadra gjermane plotësoi hakmarrjen e saj falë një penalltie të realizuar nga Andreas Brehme në minutat e fundit. Por ajo finale do të kujtohet gjatë për një lojë shumë të ashpër të ekipit latino-amerikan, që synonte vetëm të çonte ndeshjen te penalltitë. Monzon u bë lojtari i parë që merrte karton të kuq në finale, ndërsa Dezoti e ndoqi në dhomat e zhveshjeve pak minuta më vonë.
Gjermani 2006
Çerekfinale
Gjermani-Argjentinë 1-1 (P. 4-2)
Sfida ka marrë emrin “beteja e Berlinit” për shkak të zënkës masive që shpërtheu në fushë në përfundim të gjuajtjeve të penalltive. Klose shënoi një nga 16 golat e tij në Botërorë në minutën e 80-të për të barazuar rezultatin pas avantazhit të Ajala. Ky i fundit dhe Kambiaso më pas gabuan nga pika e bardhë, ndërsa gjermanët ishin perfektë me realizimet e tyre, mes të cilëve edhe Podolski. Lahm, Mertesaker dhe Shvajnshtajger ishin protagonistë të tjerë të Gjermanisë në këtë sfidë. Në radhët e Argjentinës, titullarë ishin Masçerano e Maksi Rodriguez, ndërsa në stol qëndronin Mesi dhe Palacio.
Afrikë e Jugut 2010
Çerekfinale
Gjermani-Argjentinë 4-0
“Turpërim”, kjo është fjala më e përdorur nga mediat argjentinase pas humbjes së ekipit të Maradonës, të “zbërthyer” nga grupi i lojtarëve të rinj gjermanë. Myler shënoi që në minutën e 3-të, ndërsa Klose (2) e Fridrih plotësuan goleadën, me Lionel Mesin që qëndroi krejtësisht në hije në atë sfidë. Gjermania ka aktualisht në përbërje 11 lojtarë që luajtën në atë sfidë, ndërsa tek Argjentina janë 9 që e kanë luajtur dhe portieri i dytë, Anduhar, që e ndoqi nga stoli.
Afrikë e Jugut 2010 – Të dyja skuadrat kanë në përbërje të tyre shumë prej lojtarëve që zbritën në fushë në atë ndeshje
Klose – Argjentina është ndër “viktimat” e preferuara të Klose, i cili i ka shënuar 3 gola në Botërorë
Itali 1990 – Ndeshja hyri në histori pasi Monzon dhe Dezoti u bënë lojtarët e parë që ndëshkohen më të kuq në finale
Finalja e vitit 1986 regjistron suksesin e vetëm të Argjentinës ndaj Gjermanisë në Botërorë
Argjentina
Legjendat, të kënaqura për arritjen deri në finale. Karlos Bilardo, trajneri i Argjentinës në vitet 1986 dhe 1990, është i kënaqur me përballjen mes dy skuadrave për herë të tretë në një finale. “Kjo është një mundësi hakmarrjeje për të dy ekipet, ne dhe ata. Deri tani jemi 1-1 dhe duket se nga kjo sfidë do të dalë fituesi. Jemi të lumtur, por besoj se edhe gjermanët”, tha ai. Për Mario Kempes, liderin e Argjentinës në suksesin e vitit 1978, duhet që “numri 10 i Argjentinës të shfaqet përsëri në fushë”. “Gjermania ka shfaqur një potencial ofensiv të rëndësishëm, por duhet vlerësuar mënyra se si Argjentina u mbrojt me rregull kundër Holandës”, ishte konkluzioni i Kempes. Ndërkohë, Diego Armando Maradona, pjesëmarrës si futbollist në dy finale kundër Gjermanisë, si dhe si trajner në çerekfinalen e 4 viteve më parë, mendon se ky është momenti i duhur për t’u kthyer reston gjermanëve. “Aktualisht, gjermanët janë të ngopur me suksesin e tyre. Kjo është në favor të Argjentinës. Mendoj se nuk është diçka e pamundur të mposhtësh këtë Gjermani”.
Gjermania
Lev dhe Klose të kujdesshëm: Finalja do të jetë e vështirë
Fitorja 7-1 ndaj Brazilit bën Gjermaninë favorite në finalen e “Marakana”, por trajneri Joakim Lëv ka qenë mjaft i kujdesshëm me deklaratat e tij kur ka mësuar se si kundërshtar atje do të jetë Argjentina. “Europa kundër Amerikës së Jugut, një kombinim i jashtëzakonshëm. Argjentina është e fortë në mbrojtje, kompakte, e organizuar mirë. Pastaj të mos harrojmë se në sulm kanë lojtarë të shkëlqyer si Mesi e Higuain. Duhet të përgatitemi mirë për këtë ndeshje, për momentin jemi të lumtur që do të shkojmë në Rio”, tha ai. Ndërsa sulmuesi Miroslav Klose ka shpjeguar se për të, finalja ndaj Argjentinës është mënyra më e mirë për t’u hakmarrë për disfatën përballë Brazilit në vitin 2002. “Nëse nuk fitojmë këtë radhë, nuk do ta na lejojnë të kthehemi në vendin tonë”, tha me humor ai. “Seriozisht, mund të jetë e tmerrshme të humbim në finale. Ndaj kemi festuar pas fitores me Brazilin, por tani gjithçka është harruar nga ajo ndeshje. Jemi të përqendruar te finalja, për të dhënë më të mirën”, deklaroi Klose.
Biletat – Tregu i zi për finalen e “Marakana” ka filluar të lulëzojë, me çmimet e biletave që kanë arritur deri në 2000-2500 euro.
Papa – Zyra për shtyp e Vatikanit ka bërë të ditur se si Papa Françesk, ashtu edhe paraardhësi i tij, Papa Benedikt XVI, nuk do të ndjekin finalen e Botërorit, që është mbiquajtur “derbi i Papëve” për shkak të prejardhjes së tyre. “Ata thonë vetëm të fitojë më i miri. Papa Benedikt XVI nuk do ta ndjekë ndeshjen, ndërsa Papa Françesk maksimumi mund të informohet rreth saj”, tha zyra për shtyp e Vatikanit.
Romero – Portieri i Argjentinës ka mbajtur në mbathjet e tij letrën në të cilën ishte shënuar mënyra se si holandezët gjuanin penalltitë. Kamerat televizive kanë treguar se si para çdo gjuajtje, ai kontrollonte listën që i ishte dhënë nga stafi teknik.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





