Tiranë, 12 korrik 2014 – Vetëm maturantët që kanë marrë nota kaluese në të gjitha provimet e maturës 2014, kanë të drejtë që të vijojnë garën për të ndjekur studimet e larta në një nga universitetet publike të vendit, gjatë vitit të ri akademik.

Formulari A2 brenda pak ditësh do të bëhet publik si edhe kalendari i plotësimit të tij online. Sikundër ka ndodhur edhe në vitet e shkuara, maturantët kanë në dispozicion sërish 10 mundësi përzgjedhjeje për të fituar një të drejtë studimi në shkollat e larta publike. Ekspertët e maturës sqarojnë se në këtë fazë maturantët duhet të jenë të kujdesshëm duke vënë të parat në listë ato programe universitare që janë të ngjashme me lëndët që maturanti ka dhënë si provime me zgjedhje. Kjo me qëllim që vlera e koeficientit që do të përfshihet në formulën e llogaritjes së rezultatit final të mos jetë më i ulët.

Sipas ekspertëve të maturës, gjatë llogaritjes së pikëve maturantët duhet të shikojnë më vëmendje edhe koeficientet që secili nga fakultetet ka përcaktuar për llojin e lëndës me zgjedhje. Në varësi të programit të përzgjedhur ndryshon edhe koeficienti, e për pasojë edhe rezultati final për secilën nga preferencat që maturanti zgjedh nuk do të jetë i njëjtë.

Pas plotësimi të formularit A2 nga të gjithë maturantët në vend, AKP do të detajojë edhe pikët që maturanti siguron për secilën degë dhe i shpall ato para se të bëjë renditjen finale të fituesve. Rezultatet konkrete shpallen në Librin e Transparencës, i cili paraqet “ID” e maturantit, dhe pikët e grumbulluara për çdo program studimi të përzgjedhur në formularin A2. 

Formula e llogaritjes së pikëve për të vijuar universitetin

Llogaritja e shumës -S- të pikëve të maturantëve apo kandidatëve,të cilët kanë rezultuar kalues në provimet me detyrim dhe me zgjedhje, bëhet me formulën:

S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17*(Z1*F1+Z2*F2)}*5

-M janë pikët e mesatares së shkollës së mesme që maturanti ka kryer.

-D1 dhe D2 janë notat që maturanti ka marrë në dy provimet e detyruara, Letërsi dhe Gjuhë Shqipe” dhe Matematikë”.

-Z1 dhe Z2 janë notat që maturanti ka marrë në dy provimet me zgjedhje.

-K është koeficienti I shkollës së mesme që maturanti ka kryer .

-F1 dhe F2 janë koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (fakultetet )

– Në formulë maturanti duhet të vendosë notën e përshkallëzuar të marrë në provim dhe jo notën e plotë, pasi vetëm kështu mund të nxjerrë rezultatin konkret.

– Shifra 26 tregon se mesatarja zë 26 për qind të rëndësisë në llogaritjen e rezultatit final, pra i janë shtuar pikët mesatares. Ndërsa provimet me zgjedhje kanë 17 për qind të rëndësisë në llogaritjen e rezultatit final.

-Koeficientet ndryshojnë në varësi të degës që maturanti përzgjedh

– Për degët me konkurs do të përdoret një tjetër formulë llogaritje, dhe rezultat final do të varet nga pikët që maturanti do të grumbullojë gjatë zhvillimit të konkurseve, për të cilat pritet edhe shpallja e rregullores përkatëse nga fakultetet, lidhur me procedurën se si do të zhvillohen.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/