Durrës, 11 korrik 2014 – Një grindje për motive të dobëta mes dy bashkëmoshatarëve 24 vjeçarë ka përfunduar me një automjet tip Benz.
Duket se nervat e mbledhura gjatë konfliktit mes dy 24 vjeçarëve nga Durrësi janë shfryrë mbi mjetin e njërit prej tyre.
Sipas policisë së Durrësit, dy 24 vjeçarët S.K. dhe A.U. janë zënë me njeri-tjetrin për motive të dobëta.
Grindja verbale ka përfunduar dhe dy të rinjtë janë larguar në drejtime të ndryshme.
24 vjeçari A.U. ka kujtuar se gjithçka ishte sqaruar mes palëve, por është ‘surprizuar’, kur ka parë automjetin e tij, tip Benz të shkatërruar.
Sipas grupit hetimor që ka kryer veprimet e para proceduriale, makina me targa AA 006 HJ, e parkuar pranë rrethrrotullimit të ish-kënetës, pronë e shtetasit A.U., është gjetur me xhamin e parë të thyer dhe dëmtime të tjera.
Policia, pas dokumentimit të kësaj ngjarjeje, ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 24 vjeçarin S.K., që akuzohet për veprën penale “Shkatërrim prone”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





