DURRËS, 11 korrik 2014 –  “Shpulla” Maqedonisë në harkun e 46 vjetëve, teksa Tirana zyrtare më 11 korrik 2014 shkruan se shkaqet e trazirave duhen kërkuar brenda Maqedonisë dhe tek moszbatimi i marrëveshjes së Ohrit, diktatori Enver Hoxha nga Durrësi, ku merrte pjesë në një kongres grash, shkruante më 1 qershor 1978 se kishte porositur pasardhësin e tij Ramiz Alia t’i jepej përgjigje njëfarë Hyseni, “shqiptar” nga Maqedonia, i cili, në një fjalim të tij, akuzonte Shqipërinë se nxiste nacionalizmin dhe irredentizmin dhe se gjoja nuk e trajtonte mirë minoritetin maqedonas.

Dyrrah-u boton të plotë këto reagime:

URË BASHKËPUNIMI, FAKTOR SHTET-NDËRTUES NË STABILITETIN E MAQEDONISË

Tiranë, E premte, 11 korrik 2014

Deklaratë për shtyp e MPJ mbi takimin me Ambasadorin maqedonas në Tiranë

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë thirri më 11 korrik 2014 në takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Tiranë për t’i shprehur keqardhjen dhe pakënaqësinë për moskuptimin e mesazheve të përcjella nëpërmjet deklaratave të zyrtarëve shqiptarë, referuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni.

Ambasadorit iu rishpreh shqetësimi për dhunën e ushtruar gjatë demonstratave. MPJ theksoi se kjo mënyrë sjelljeje nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes, dëmton marrëdhëniet ndëretnike e harmoninë midis komuniteteve.

Për më tepër, qëndrimet e Republikës së Shqipërisë janë në të njëjtën linjë me shqetësimin e shprehur nga faktori ndërkombëtar. Republika e Shqipërisë mbetet e angazhuar dhe ka shprehur në mënyrë sistematike mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.

Ambasadorit iu vu në dukje se këto deklarata nuk mund të konsiderohen si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Ato përbejnë një shprehje të natyrshme të shqetësimit për situatën e krijuar dhe njëkohësisht bëjnë thirrje për maturi dhe gjetjen e zgjidhjeve.

Republika e Shqipërisë është e interesuar për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Maqedoninë, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë.

Ambasadorit maqedonas iu theksua se kemi përshtypjen se nota verbale e MPJ të Maqedonisë është më shumë një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga thelbi i çështjes. Jemi të mendimit se shkaqet e këtyre situatave duhen kërkuar brenda Maqedonisë dhe tek moszbatimi i marrëveshjes së Ohrit. Çdo përpjekje për të kërkuar shkaqe apo faktorë te tjerë dhe për më tepër jashtë kufijve të Maqedonisë, do të ishte joproduktive.

RSH-ja e konsideron zbatimin në frymë dhe në germë të Marrëveshjes së Ohrit si shtyllën kryesore të shtet-ndërtimit demokratik dhe busull orientuese për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë.

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit reciprok kërkojnë mirëkuptim dhe përpjekje të përbashkëta. Shqiptarët e Maqedonisë janë jo vetëm një urë bashkëpunimi, por faktor shtet-ndërtues me një rol të rëndësishëm në stabilitetin e Maqedonisë dhe të rajonit.

POPULLSI E SHUMË VOGËL MAQEDONASE NË SHQIPËRI, POPULLSI SHUMË E MADHE SHQIPTARE NË MAQEDONI

Durrës, e enjte 1 qershor 1978

Nga Ditar-i i Enver Hoxhës

Jemi në Durrës, pse sot u hap Kongresi i 8-të i Bashkimit të Grave.

Në pushimin e seancës së parë të Kongresit u thashë shokut Ramiz [Alia – Dyrrah”-u] dhe shokëve të tjerë, sikur t’i japim përgjigje njëfarë Hyseni, “shqiptar” nga Maqedonia, nënkryetar a nuk e di se ç’është i Veçes [parlamenti, këtu: këshilli popullor – “Dyrrah”-u] së Shkupit të Maqedonisë, i cili, në një fjalim të tij, akuzon Shqipërinë se nxit nacionalizmin dhe irredentizmin dhe se ne gjoja nuk e trajtojmë mirë minoritetin maqedonas.

Duhet t’i bëjmë këtij një përgjigje të shkurtër, t’i japim një shurup, ku ta cilësojmë si renegat të kombit shqiptar dhe si një shërbëtor të shovinistëve maqedonas. T’i themi që, më parë se të interesohet për një popullsi shumë të vogël me kombësi maqedonase, e cila jeton dhe ka të gjitha të drejtat në vendin tonë, është mirë të interesohet për popullsinë e madhe shqiptare që është sa një e treta e gjithë Maqedonisë dhe që shtypet e i mohohen shumë të drejta. T’i thuhet po ashtu se, në qoftë se dëshirojnë që ne të hapim defterët se kush është shovinist dhe irredentist, neve s’na bëhet vonë. Jemi gati ta bëjmë një gjë të tillë dhe bota do të kuptojë më mirë se kush është shovinist dhe kush është viktima e këtij shovinizmi, janë maqedonasit apo shqiptarët. Shokët ishin dakord t’i japim një shurup kësaj qelbësire.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/