Durrës, 11 korrik 2014 – Vjedhjet gjatë natës janë kthyer në një fenomen të zakonshëm në qytetin e Durrësit. Komunikata e përditshme e policisë dokumenton 2-3-4 madje dhe më shumë raste vjedhjeje çdo ditë.
Por duket se tani hajdutët nuk tremben më dhe kanë nisur të vjedhin edhe në mes të ditës, pa u frikësuar se dhjetra sy dëshmitarësh mund t’i identifikojnë.
Në orën 15.00 dhe 18.00 të së enjtes janë vjedhur nga persona ende të paidentifikuar një dyqan celularësh në lagjen nr.6 dhe një agjenci turistike në lagjen nr1 të qytetit.
Në të dy rastet, pavarësisht faktit se punonjësit e dyqanit dhe agjencisë ndodheshin aty hajdutët nuk kanë nguruar të vjedhin telefona dhe para.
Duke përfituar nga largimi për disa sekonda i punonjëses së agjencisë, hajduti ka hyrë me shpejtësi brenda, ka hapur sirtarin dhe ka vjedhur rreth 140 mijë lekë e më pas është larguar me shpejtësi.
Ndërkohë në dyqanin e celularëve, ndërsa shitësja ishte e zënë me disa klientë, një person ka hyrë brenda ka kapur me shpejtësi dy telefonë dhe është larguar me vrap.
Në të dy rastet, policia ka mbledhur pamjet filmike të subjekteve aty pranë si dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët e pranishëm në vendngjarje, për të zbuluar identitetin e autorëve të vjedhjeve.
Ndërkohë, po një ditë më parë, por këtë herë gjatë natës, hajdutët kanë hapur me forcë derën e shtëpisë së shtetases L.M., 52 vjeçe, banore e lagjes nr. 18 dhe kanë marrë nga aty një telefon Iphone 5S dhe një laptop. Edhe në këtë rast policia po punon për identifikimin e autorëve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





