Palestinë, 11 korrik 2014 – Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Gaza ka arritur në 100, sipas burimeve palestineze. Dy vrasje ndodhën mëngjesin e sotëm, ku si pasojë e sulmeve ajrore, gjetën vdekjen dy njerëz në një makinë në zonën Bureij. SHBA-të kanë njoftuar paraprakisht për një ndërhyrje të tyre, për të shpallur një armëpushim mes forcave izraelite dhe atyre palestineze.
Shumica e personave të vrarë janë civilë, bëri me dije Ministria e Shëndetësisë, sipas të cilës rreth 675 persona të tjerë janë plagosur.
Izraeli ka kryer qindra sulme që nga nisja e operacionit të tij të martën, për të ndaluar sulmet me raketa nga Gaza. Militantët atje vazhdojnë të sulmojnë Izraelin, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe njerëzore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë ofruar një ndërmjetësim për armëpushimin mes Izraelit dhe Palestinës në Gaza. Ka qenë Barack Obama, presidenti i SHBA-ve, i cili nëpërmjet një telefonate me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ka biseduar për një ndërmjetësim të trupave amerikane.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





