Tiranë, 11 korrik 2014– Zëdhënësja Laura Vorpsi ka denoncuar ditën e sotme goditjen e deputetit Strazimiri dhe pyet publikisht Kryeministrin për të kaluarën kriminale të deputetëve Ndoka e Prenga
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Laura Vorpsi ka akuzuar kryeministrin Rama se ka urdhëruar këtë sulm fizik, vetëm sepse deputeti demokrat denoncoi lidhjet e qeverisë me krimin.
"Me urdhër të Edi Ramës, deputetja Xhaçka i kërkon Strazimirit të përmendë emrat e deputetëve të inkriminuar. Deputeti Strazimiri iu përgjigj deputetes Xhaçka duke i thënë se kishte mirëkuptim të plotë për detyrën që i kishte ngarkuar Edi Rama me sms, dhe se problemi nuk qëndronte tek ajo por tek shefi i saj. Dhe menjëherë pas kësaj, Edi Rama urdhëroi Arben Ndokën dhe Pjerin Ndreun të agresonin fizikisht deputetin Strazimiri. Në zbatim të këtij urdhëri, deputetët Ndoka e Ndreu goditën dhe kërcënuan me jetë deputetin Strazimiri",- tha Vorpsi.
Sipas saj, edhe deputeti tjetër socialist Armando Prenga është përfaqësues i botës së krimit dhe e ka goditur deputetin Strazimiri edhe më parë për të njëjtën çështje.
"Një muaj më parë, u vetëdenoncua dhe deputeti socialist Armando Prenga, i cili edhe ai dha dëshminë e tij publike, se është pjesë e përfaqësuesve të botës së krimit në parlament, kur goditi z.Strazimiri, pas një fjalimi të ngjashëm me të djeshmin. E pyesim sërish sot z.Rama. Cila është e shkuara e Armando Prengës dhe për cfarë e ka ndjekur policia italiane në vendin fqinj? Menjëherë pas ngjarjes së djeshme, Edi Rama legjitimoi dhunën ndaj deputetit demokrat, duke thënë se kush denoncon, do të goditet fizikisht. Ilir Meta nuk mori asnjë masë disiplinore, nuk ndërpreu as seancën, a thua se gjithcka shkoi sipas planit. Më pas Rama u kujdes që të barazonte në shumë media, kurajon e deputetit Strazimiri për të denoncuar, me furacakët që kur përmendet krimi humbasin toruan dhe godasin fizikisht",- tha Vorpsi.
Sipas zedheneses se selise blu "E vërteta është se Edi Rama i ka futur këta persona në parlament për të intimiduar e goditur fizikisht opozitën dhe për t’u mbyllur gojën deputetëve që denoncojnë lidhjet dhe varësitë e tij kriminale. Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë që në emër të interesave të qytetarëve të këtij vendi, në emër të të së ardhmes europiane të Shqipërisë, të vazhdojë cdo ditë betejën për të denoncuar publikisht me fakte e argumenta, lidhjet kriminale të qeverisë, dhe të dyshes Rama-Meta".
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





