Tiranë, 11 korrik 2014 – Me kualifikimin tashmë në xhep, Flamurtari dhe Laçi po mendojnë për kundërshtarët e radhës në Europa League. Por cilat janë dy ekipet që do të sfidojnë skuadrat shqiptare në raundin e dytë të evenimentit europian?

E nisim me rumunët e Petrolul Ploiesti. Një shopqëri e njohur në vendin ballkanik por gjatë dekadave të fundit e lënë në hije pasi për herë të fundit, kampionatin e ka fituar në vitin 1966. Petrolul është skuadër e qytetit Ploiesti rreth 56 km në veri të Bukureshtit me rreth 210 mijë banorë. Skuadra i luan ndeshjet e shtëpisë në stadiumin “Stadionul Ilie Oana” me kapacitet 15.500 vende dhe drejtohet nga tekniku rumun Razvan Lucescu. Gjatë sezonit të fundi, Petrolul Ploiesti u rendit në vendin e tretë që konsiderohet një prej kampionateve më të fortë në rajonin e Ballkanit. Petrolul e ka fituar kampionatin 4 herë ndërsa kupën 3 herë. Skuadra u ngjit në kategorinë e parë pas një periudhe të errët në divizionin inferior që zgjati deri në vitin 2011. 35 janë ndeshjet europiane të skuadrës rumune që numëron 17 fitore, 4 barazime dhe 14 humbje, ndërsa vjen në raundin e dytë paraeliminator me kualifikim direkt.

Në grupin aktual të lojtavëre bën pjesë edhe ish bomberi i kombëtares, Adrian Mutu që u transferua në Ploiest gjatë merkatos së dimrit. Pjesa dërrmuese e lojtarëve përbëhet nga lojtarë nga Rumania po nuk mungojnë as lojtarët me origjinë nga Brazili, Uruguaji, Haiti, Portugalia, Holanda, Algjeria, Spanja, Franca dhe Izraeli.  Ndeshja e parë do të luhet në Rumani në datën 17 korrik, ndërsa ajo e kthimit një javë më pas në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës.

Por nëse Flamurtari gjen në fazën e dytë një kundërshtar të njohur në arenën ndërkombërtare, nuk mund të thiuhet e njëjta gjë për Laçin që do të sfidojë ukrainasit e Zorya Luhansk. Ekipi i themeluar në vitin 1923 vjen nga qyteti i Luhansk me një popullsi prej 425 mijë banorësh. Zorya i luan ndeshjet e shtëpisë në “Avanhard Stadium” me kapacitet 22 mijë vende. Kjo është hera e parë që Zorya luan një ndeshje në arenën europiane, ndërsa numëron vetëm një trofe në kampionatin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1972. Zorya militon në divizionin më të lartë të kampionatit vendas që prej vitit 2006, ndërsa sezonin e fundit e mbylli në vendin e shtatë me 42 pikë. Lojtari më i shtrenjtë i skuadrës është 24-vjeçari i mesfushës Dmytro Khomchenovsky, ndërsa drejtohet nga trajneri 48-vjeçar ukrainas, Yuriy Vernydub. Ndeshja e parë do të luhet në Laç, ndërsa ajo e kthimit një javë më pas në qytetin lindor të Ukrainës.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/