Tiranë, 11 korrik 2014– Deputeti i PD-së, Genti Strazimiri, mbajti një fjalim të fortë në Parlament, duke deklaruar se në radhët e Grupit të PS-së ka 19 deputetë që kërkohen për krime dhe për trafik droge. Në asnjë rast ai nuk përmendi emra, por tha se jeta, karriera e Kryeministrit Edi Rama është në dorën e një deputeti të sapodalë nga burgu, dhe të cilin kreu i PS-së pranoi ta fusë në Parlament.
“A është problem kriminaliteti në këtë vend? Po, është problem shumë i madh. A e ka fajin policia? Pjesërisht e ka. A janë këtu 100 % burra të ndershëm dhe gra të ndershme në Parlament? Jo! Në Grupin tënd parlamentar ke 19 veta me precedentë penalë, ke persona të shpallur në kërkim apo persona që kanë bërë burg për narkotrafik, vjedhje vilash me dhunë, kanë bërë burg për prostitucion. Ti e di dhe nuk flet. Kështu që, është e kotë të dalësh para policëve e t’u thuash “luftoni pak krimin”, në një kohë kur jetën në dorë, punën në dorë, karrierën në dorë e ke nga ai deputeti, që sapo ka dalë nga burgu dhe ti e ke futur në Parlament, qofte edhe duke dekapituar të gjithë listën e deputeteve të qarkut në fjalë, kryesisht për gratë. Kështu që, të gjithë qytetarët që na dëgjojnë e dinë që kjo është e vërtetë, ti vetëm duhet të kesh kohen të flasësh mor zotëri, të të njohin se kush je. Inkurajimi i krimit bëhet duhet futur kriminelë në Parlament, duke futur oficerë policie të shkarkuar nga ministrat tuaj për përfshirje në krim, në krye të Policisë së Shtetit, duke hequr profesionistët nga Policia e Shtetit”, tha Strazimiri.
Sherri
Deputetët e Kuvendit, veç replikave të forta të shkëmbyera dje nga foltorja e Kuvendit, kanë degjeneruar në dhunë, duke u goditur edhe me gushte në korridoret e sallës së seancave. Deputeti demokrat Gent Strazimiri është goditur dje për të dytën herë nga deputetët e majtë, por kësaj radhe nga socialistët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, teksa po ai fliste në telefon në ambientet e brendshme të Kuvendit, disa minuta pasi kishte përfunduar fjalën në Parlament.
Fjala e Strazimirit ka ngjallur revoltën e deputetit socialist Pjerin Ndreu, i cili nga vendi pa mikrofon i ka kërkuar të rregullojë fjalorin, pasi sipas tij “krefja” e parë nuk i kishte mjaftuar dhe po kërkonte një të dytë. “Do bëje mirë ta kafshoje atë gjuhën. S’të paska mjaftuar ai rripi i parë, paske nevojë edhe për një krefje tjetër”, tha Ndreu. Ndërkohë që Strazimiri iu përgjigj nga vendi: “Ordiner je ti! O polic… Ai është shoku jot, merre edhe atë”.
Por deputeti i majtë iu përgjigj duke thënë se: “Ik more se t’i njoh turinjtë ty, po rri rehat”.
Në këtë kohë deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, kërkoi sqarimet se kush ishin deputetët me precedentë penalë, por Strazimiri iu përgjigj se rastet janë publikuar në media dhe se e djathta bllokoi punimet e Kuvendit, kur u zëvendësuan deputetët e PS-së nga listat shumemërore. Debati brenda seancës është mbyllur këtu.
Në një kohë që në foltoren e Kuvendit ka shkuar ish-kryeministri Sali Berisha, deputetët e Partisë Socialiste janë larguar nga salla në shenjë proteste. Por, ra në sy fakti se dy deputetët e PS-së, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka kanë dalë nga porta e dytë në të djathtën e sallës së seancës, duke kaluar nga lokali i Kuvendit dhe duke dalë në krahun e majtë ku deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, po fliste në telefon dhe po pinte cigare. Sipas rrëfimeve nga deputetët e tjerë mësohet se deputeti Arben Ndoka e ka qëlluar i pari në kokë Strazimin, i cili sipas dëshmitarëve ka qenë me kurriz. Në këto çaste edhe deputeti Ndreu ka tentuar ta godiste, por kanë ndërhyrë efektivët e Gardës të cilët kanë rrethuar Strazimirin.
Gjithçka u mor vesh në sallën e Parlamentit, vetëm kur deputetja e Durrësit, Klodjana Spahiu, ka hyrë në sallë e trembur dhe e zbehtë në fytyrë duke njoftuar për sherrin. Deputetët e PD-së janë çuar me nxitim për të ndihmuar Gent Strazimirin, ndërkohë që në foltoren e Kuvendit ishte duke folur ish-kryeministri Sali Berisha. Ish-kreu i demokratëve ka akuzuar Kryeministrin Rama se ishte “fytyra e krimit”, ndërkohë që ish-kryetarja e Kuvendit tha se: “Ai njeri ka thyer çdo normë të Parlamentit”.
Mësohet se gjatë përleshjes në korridor, Strazimiri, Ndoka dhe Ndreu kanë shkëmbyer fjalë fyese, por janë frenuar më pas nga Garda dhe kolegët. Në pushimin e seancës, Pjerin Ndreu është larguar nga Kuvendi me deputetin Parid Cara, ndërkohë që Gent Strazimiri ka dalë bashkë me deputetët e PD-së, duke bojkotuar punimet e Kuvendit. Por, me nisjen e seancës, dy deputetët e PS-së janë paraqitur në seancën plenare dhe kanë votuar projektligjet në rendin e ditës.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





