Brazil, 10 korrik 2014  – Në një nga ndeshjet më të pabesueshme të Kupës së Botës, rezultati qesharak 7-1 reflektoi dominimin e plotë të Gjermanisë. Lëv hodhi në fushë të njëjtin formacion me të cilin mundi Francën në çerekfinale. Skolarit iu desh të bënte ndryshime për shkak të mungesës së Silvës dhe Nejmarit. Dante zëvendësoi kapitenin, ndërsa Bernard yllin e ekipit, duke spostuar Oskarin në rolin e numrit “10″. Gustavo u rikthye pas pezullimit prandaj Paulinjo u ul në stol. Dhe në mënyrë të pabesueshme ndeshja përfundoi pas vetëm gjysmë ore, sepse rezultati shkoi në 0-5 dhe Brazilit i mbeti vetëm të shmangte turpërimin e mëtejshëm. Në një fitore kaq bindëse, është e vështirë që të theksosh një pikë ku Gjermania ishte superiore. Gjithçka shkoi sipas planit të tyre dhe kundër planit të Brazilit. Nuk kishte asnjë aspekt ku vendësit ishin më mirë se rivalët. Gjithsesi, është fare e lehtë lokalizimi i zonës ku “pancerat” e dërrmuan kundërshtarin: krahu i tyre i djathtë, ose krahu i majtë i Brazilit. Në 30 minutat e para, nuk kanë të numëruar shpërthimet e europianëve në korsinë e Marselos: dhe qesharake është se mbrojtësi nuk po e kuptonte atë që po ndodhte dhe në vend që të kthehej pas, ai vazhdonte të qëndronte në sulm ndërsa sulmet gjermane vërshonin. Ka kaq shumë shembuj në pjesën e parë, sa ia vlen të ndalemi te disa shkurtimisht. 

Minuta 4′ – Marselo avancon për të mbyllur Mylerin, por e zë gjumi kur Gjermania fiton rivënien anësore. Mbrojtësi i majtë vendoset gabim dhe Khedira që shfrytëzon hapësirën, sprinton gjatë shërbimit që Myleri bën me duar, duke nisur një kundërsulm të rrezikshëm. Khedira pason për Klosen dhe Gjermania krijon rastin e parë të shënimit, sepse Myler e kishte lënë sërish pas Marselon e përgjumur. Por goditja e dobët e Kloses nuk solli golin. Myler i ulëret Kloses që shpërdoroi një shans të artë, ndoshta sepse ai nuk e dinte që do të kishte kaq shumë raste në vazhdim. Kjo ishte shenja e parë paralajmëruese për Brazilin, që krahu i majtë do u shkaktonte humbjen më të rëndë të historisë. 

Minuta 7′ – Marselo zihet sërish jashtë pozicionit pasi Brazili humbet topin në mesfushë, dhe kur Gustavo u përpoq ta mbulonte, Myler kishte shkuar në ekstremet e pozicionit jashtë loje në të djathtë, gati për të shpërthyer. Khedira i shërben dhe sulmuesi i Bajernit ka hapësirë për të krosuar në shtyllën e largët. Atje gjen Ozilin, i cili tregohet altruist dhe pason te Khedira, por goditja e mesfushorit, një gol i sigurt, bllokohet në trupin e Krosit. 

Minuta 10′ – Marselo merr një pasim të shkurtër nga Hulk në 1/3-at e fushës, përpiqet të driblojë dhe pasojë, por humbet topin dhe i lejon Khedirës dhe Mylerit të shpërthejnë në kundërsulm. Gustavo tenton të mbulojë, por s’e fiton duelin e forcës me Khedirën. Marselo rikuperon me shpejtësinë e tij, ndërhyn fillimisht ndaj Mylerit dhe pastaj Khedirës duke shlyer disi gabimin: ngre duart dhe u kërkon shokëve ndjesë për gabimin. Nga goditja e këndit Gjermania kalon në avantazh, sepse Myler gjendet i lirë në qendër të zonës i harruar nga Luiz dhe Dante, të penguar nga Humels dhe Klose. 

Minuta 14′ – Myler përpiqet të kombinojë me Khedirën, por Marselo e bllokon me faull. 

Minuta 22′ – Marselo avancon përpara për të kërkuar topin, por Myler shpërthen sërish, Gustavo tenton të mbyllë hapësirën e Marselos. Por fatmirësisht për “seleçao”-n krosi i gjermanit në shtyllën e parë pastrohet pa rrezik. Në të njëjtën minutë, Lahm nis me të vërtetë të angazhohet në sulm dhe defektet e Hulkut në fazën mbrojtëse dalin në shesh. Nga një rivënie me duar, kapiteni dhe Myler kombinojnë në të djathtë: Lahm pason në qendër për Kros dhe Myler i shpëton Marselos për të kombinuar me Klosen duke sjellë dhe golin e dytë. 

Minuta 24′ – Ozil sheh shokët që argëtohen dhe tenton t’i bashkohet edhe ai festës, duke ndërruar krahun dhe rritur presionin për Brazilin në këtë korsi. Ai lidhet me Lahmin, pasimi i të cilit nuk goditet nga Myler sepse del huq, por topi shkon te Kros në shtyllën e dytë, i cili bën 3-0. 
Presingu – Kundërsulmi altruist dhe presingu i pamëshirshëm i Gjermanisë i parandaloi Brazilit që të dilte në lojën e saj në mesfushë. Linja e mbrojtjes e spostuar lart, e cila me Algjerinë rezultoi një dështim për gjermanët, kundër Fredit ishte perfekte, një sulmues shumë i ngadaltë që nuk e preku kurrë topin në zonë. Avancimi i mbrojtjes i lejoi mesfushës të presonte me Krosin që markonte Fernandinjon ndërsa Khedira Gustavon.

Dhe goli i 4-t është shembulli perfekt: Kros i vjedh topin Fernandinjos, shkëmben pasime me Khedirën që avancon dhe vjen goli. Khedira shënoi të pestin pasi Luiz s’ndodhej në pozicionin e tij, duke e lënë Danten të vetëm. Sa vinte dhe gjithçka bëhej më e thjeshtë. Kros ishte i shkëlqyer teknikisht, por çuditërisht, ndryshe nga herët e tjera, e pamë edhe luftarak dhe shumë të fuqishëm. 

David Luiz – Për këtë humbje të rëndë u bë kokë turku Luiz, ndoshta sepse i binte barra si kapiten. Por ai e humbi kontrollin pas pjesës së parë. Në pjesën e parë ishte i vetmi brazilian që bënte diçka në fushë. Nuk pasonte në mesfushë, sepse e kishte të pamundur nga perfeksioni taktik i gjermanëve dhe tentonte topat e gjatë të saktë, por edhe duke dribluar kundërshtarët që i dilnin përpara. Dha disa diagonale të suksesshme në të majtë kryesisht për Hulkun. Dhe duke parë këtë, Lëv sakrifikoi dikë për ta markuar. Në një tentativë për ta ndalur, Klose hëngri edhe një bërryl nga mbrojtësi. Në pjesën e dytë Skolari ndërron skemë në një 4-3-3, me Gustavon pas Ramirez dhe Paulinjos dhe detyron Nojerin të bëjë disa pritje shpëtimtare. Lëv i kundërpërgjigjet me Shyrrlen në vend të Kloses për të shfrytëzuar shpejtësinë në hapësirat që u shtuan nga krahët. Dhe lëvizja e dëshpëruar e Brazilit u shfrytëzua maksimalisht nga Gjermania, sepse Shyrrle shënoi dy gola. Ndërrimi i fundit i Skolarit (Fred-Uillian) nuk i la më Brazilit sulmues në fushë, e megjithatë ata e shënuan golin e “nderit”. 

Konkluzionet – Një ndeshje që bastexhinjtë e parashikonin 50 me 50, përfundoi në një nga disfatat më të rënda që historia e futbollit ka parë ndonjëherë. Favoritët për ta fituar kupën u poshtëruan nga rivalët në gjysmëfinale, brenda në shtëpinë e tyre. Triumfi gjerman ka emrin Myler, që bashkë me Khedirën dhe Lahmin e shpartalluan Marselon në 30 minutat e para. Pastaj presingu që sa vinte bëhej më asfiksues, duke tërhequr mbrojtjen gjermane shumë lartë në fushë, nuk i lejoi Brazilit që të bënte as dy pasime në mesfushë. Plan i shkëlqyer, aq sa dukej se Gjermania kishte edhe një marsh rezervë për ta përdorur nëse do ishte e nevojshme. Skolari surprizoi me Bernardin, ndoshta sepse donte që një djalë nga Belo Horizonte të frymëzohej nga tifozët. Por nuk ishte faji i Bernardit. Ky është nga ato që quhen dështime kolosale të një skuadre. Skolari mori përgjegjësinë e humbjes dhe disa nga zgjedhjet e tij duhet të vihen në dyshim. Por problemi i kësaj skuadre është më serioz: Çfarë ka ndodhur që Brazili nuk prodhon më talente në sulm? Pse duhet të jetë kjo skuadër kaq e varur, si kurrë më parë, tek një individ (Nejmar), kur nuk ka qenë asnjëherë, edhe pse ka pasur në gjirin e saj talente shumë më të mëdha se ai i Barcelonës? Është cinike që në këtë skuadër ka vend për lojtarë normalë si Hulk dhe Fred dhe “seleçao” të luajë me agresivitet dhe pisët, duke humbur edhe mbështetjen e tifozëve neutralë. Sa keq për atë që dikur ishte shtëpia e futbollit spektakolar. 

/panoramasport/