Itali, 10 korrik 2014 – Gjykata e Ravenës dënoi Oriano Kazadion (Casadio) me 4 muaj burg dhe 300 euro gjobë për mashtrim duke përdorur postin zyrtar dhe përfitim të shumës 7 000 euro nëpërmjet mashtrimit. Oriano Kazadio aktualisht është anëtar i këshillit bashkiak të qytezës së Kazola Valseninos (Casola Valsenino), me popullsi prej 2 800 banorësh. Në kohën, kur ka kryer veprën penale Oriano ishte nënkryetar i këshillit të provincës (i ngjashëm me Këshillin e Qarkut  në Shqipëri). Oriano kandidoi, ndonëse pa sukses, edhe për kryebashkiak i qytezës së Kazola Valseninos.

Gjatë hetimeve rezultoi se Oriano kishte bashkëpunuar me dy shqiptarë. Njëri ishte Ismet Mehmeti, 56 vjeç, që e hiqte veten si politikan i shquar shqiptar, madje kishte krijuar edhe një OJF në Itali, që ishte pranë të djathtës italiane (pranë partisë Fratelli d’Italia, që është parti post fashiste, trashëgimtare e partisë Alleanza Nazionale). Në vitin 2011, Ismeti kishte pasur probleme me drejtësinë italiane, madje ishte dënuar me arrest shtëpie për baste klandestine, fiksim të rezultateve të ndeshjeve kryesisht në futboll, por edhe në basketboll dhe volejboll.

Shqiptari i dytë, me të cilin kishte pasur lidhje Oriano ishte Aleksandër Meksi, ish Kryeministër i Shqipërisë. Oriano ishte administrator i kompanisë 2M, me qendër në qytetin e Lugos në Spanjë, objekti i së cilës ishte ndërmjetësimi në tregun ndërkombëtar të pasurive të patundshme. Ortak i kësaj kompanie ishte edhe zoti Meksi. Në periudhën shtator 2010-korrik 2011, Oriano kishte tërhequr nga llogaria e kësaj kompanie në një filial të një banke të Toskanës, në qytetin e Ravenës, plot 7000 euro, të cilat i kishte përdorur për qëllime personale. Pikërisht vjedhja e kësaj shume kishte dëmtuar edhe interesat e z. Meksi si ortak i firmës 2M. Ish-kryeministri shqiptar Aleksandër Meksi në këtë çështje është pala e dëmtuar nga mashtrimi i këtij politikani italian.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/