Tiranë, 10 korrik 2014 – 39 vjeçari Julian Dauti, nga Durrësi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol, është ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë.
Dauti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, në vitin 2004, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimit ose marrjes peng të personit", kryer në bashkëpunim.
Në muajin gusht të vitit 2001, në Tiranë dhe Durrës, Julian Dauti, në bashkëpunim me Fatjon Dautin, kanë marrë dhe mbajtur peng shtetasin Raimond P., të cilin e kanë keqtrajtuar për ta detyruar për të nxjerrë në pritë shtetasin Dritan M., me qëllim për ta vrarë për motive gjakmarrje.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali.
Në aeroportin “Nënë Tereza” Dauti u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





