Durrës, 10 korrik 2014 – Teuta vazhdon të jetë një ndër skuadrat më aktive në kampionat për sa i përket merkatos së verës. Pas një jave prove dhe vëzhgimi nga trajneri Hasan Lika dhe stafi i tij, “djemtë e detit” i shtojnë organikës së tyre një tjetër lojtar cilësor që vjen nga kampionati kosovar. Bëhet fjalë për Mendurim Ullurin, nga ekipi prishtinas i 2 Korrikut.
Ulluri cilësohet si një talent me të ardhme të sigurt, ndaj durrsakët nuk kanë vonuar ta bëjnë të tyrin. Pozicioni i tij natyral është sulmues, por siç shpjegojnë drejtuesit e skuadrës bregdetare, ai fare mirë mund të luajë edhe pas dy sulmuesve. Mosha e tij e re përligj edhe një herë strategjinë e klubit për t’u mbështetur te lojtarët e rinj, e ndërthurur kjo edhe me elementë me eksperiencë.
18-vjeçari nga Prishtina ka lënë përshtypje të mira te drejtuesit e Teutës dhe drejtuesit kanë nxituar t’i bëjnë gati dokumentacionin që ai të mos i mungojë ekipit në fazën përgatitore që do të zhvillohet në Austri. Sulmuesi Ulluri ishte një ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit të 2 Korrikut, e cila, edhe pse garon në Ligën e Parë të kampionatit kosovar, ka traditë të jashtëzakonshme në evidentimin dhe zbulimin e talenteve të reja.
Kujtojmë që ndër emra të tjerë që kanë dalë nga kjo skuadër është edhe ai i portierit të Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha. Ulluri shpreh emocionet e para si pjesë e Teutës.
“Jam me të vërtetë i gëzuar që do të mund të luaj në Durrës. Teuta është një ndër klubet më të mira të Shqipërisë dhe për mua ky është një shans i artë që duhet shfrytëzuar maksimalisht. Kalimi te Teuta do të thotë shumë për mua, pasi tani karriera ime merr një drejtim të ri, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen time profesionale. Unë kam diçka më shumë se një javë që ndodhem në Durrës dhe impakti i parë për këtu është shumë pozitiv. Kushtet janë shumë të mira, stafi shumë profesional, lojtarët shumë të komunikueshëm. Ndaj besoj se do të ambientohem lehtë dhe më pas të kontribuoj sa më shumë për skuadrën”, u shpreh sulmuesi nga Kosova.
Sakaq, të premten ekipi do të udhëtojë drejt Austrisë, vend ku për rreth 10 ditë do të zhvillojë fazën përgatitore. Sakaq, me skuadrën është bashkuar edhe Migen Memelli. Pas Mendurim Ullurit shkon në dy numri i lojtarëve kosovarë të transferuar te Teuta. Më herët pjesë e durrsakëve u bë edhe mesfushori i talentuar Xhevdet Shabani, i ardhur nga ekipi gjilanas i Dritës. Dhe, ndërsa një lojtar nga kampionati kosovar i shtohet Teutës, një tjetër është larguar.
Bëhet fjalë për futbollistin e Llamkos Kosova, Leart Emini. 22-vjeçari kishte rënë parimisht dakord me drejtuesit e klubit për të qenë pjesë e Teutës. Por, pas disa ditëve provë dhe stërvitjeje në Durrës bashkë me pjesën tjetër të skuadrës, ai është larguar. Shefi i klubit Teuta, Eduart Salillari, shpjegoi se mesfushori 22-vjeçar u largua vetë, pa ndonjë arsye specifike. Pas 4 ditëve provë, tregon zyrtari i klubit Teuta, lojtari u largua, duke mos i dhënë edhe stafit kohën e duhur për ta vlerësuar si duhet dhe që më pas të mund të nënshkruanin zyrtarisht me të, gjithmonë nëse do ta kalonte provën.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





