Durrës, 10 korrik 2014 – Natyra shqiptare është e bekuar me det e mal. Nëse disa zona do i shihnim nga lart, do ndiheshim krenar për vendin ku jetojmë. Për të tjerat, do të ulnim kokën të turpëruar për masakrën që kemi shkaktuar në këto vite. Foto që po ndajmë më ju sot, janë realizuar nga Alket Islami. Pamjet janë të plazhit të Durrësit dhe të ndërtesave pranë tij. Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe pamja e detit është kjo që shohim. Higjienën vlerësojeni vet. Një tjetër problematik që vihet re dhe që konstatohet nga specialistët është lufta e detit me tokën. Deti gjithmonë e më shumë po “ha” sipërfaqe tokësore.
Para viteve 1990, raporti mes tokës së fituar dhe asaj të humbur nga deti ka qenë 2,4 me 1, pra fitohej 2,4 metra dhe humbej vetëm 1 i tillë. Sot ky raport është barazuar dhe po tejkalohet në krahun tjetër. Çka do të thotë se Shqipëria çdo ditë po tkurret nën mbretërimin e detit, i cili prej më se 20 vitesh po ndryshon kufijtë tokësorë të vendit tonë.
Mjedisi është një gjallesë që lëviz pandaluar. Fushat, që sot përbëjnë ultësirën bregdetare, janë shtrirë drejt detit si pasojë e inerteve që kanë depozituar lumenjtë. Toka dhe deti kanë qenë dhe janë në luftë të përhershme, por lumenjve kane qenë në anën e tokës. Një ekuilibër të cilin natyra e vendos vete, jashtë vullnetit të njeriut.
Por, sot ky ekuilibër është prishur. Lumenjtë nuk shkarkojnë më inerte në det, dhe deti është në sulm. Por, ndryshe nga formimi që kërkon mijëra vite, shkatërrimi kërkon vetëm pak dekada. Natyra është duke u hakmarrë tashmë mbi tokën tonë dhe hakmarrja e natyrës është katastrofike.
/gazeta "Dita"/





