Tiranë, 10 korrik 2014 – Uebsajti zyrtar uefa.com i dedikon një shkrim skuadrës së Laçit, aty ku më tepër përmendet për mrekullitë që janë arritur në Kishën e Shna Ndout. Ndërkaq, fjalët me të cilat përshkruhet qyteti dhe skuadra e Laçit në uebsajtinuefa.com ndërthuren edhe me deklaratën e kapitenit Erjon Vucaj, i cili luan për herë të tretë me fanellën e Laçit në kompeticionet europiane.
“Optimizmi është i lartë në një qytet, i cili është shquar për mrekullitë e natyrës jashtë futbollit. Kisha e Shën Antonit në Laç, e njohur në të gjithë Shqipërinë, është një pelegrinazh në vend të dukshëm, ku myslimanët, të krishterët e ortodoksët dhe madje edhe ateistë janë bashkuar që prej shekullit të 12-të, për shkak të fuqisë së saj për kurat mbinatyrore. Në Laç nuk janë duke kërkuar mrekulli kundër Rudar, por të gjithë besojnë se do të kenë fat duke parë edhe rezultatin e ndeshjes së parë. Hera e tretë, e vërtetë”, – shprehet kapiteni Erjon Vucaj që kërkon të kalojë në turin tjetër me fanellën e Laçit.
Në dy pjesëmarrjet e tjera, kurbinasit janë eliminuar që në turin e parë. Në një kohë që sot, Laçi do të luajë për herë të parë në fushën e vet në një ndeshje ndërkombëtare. Ndërkaq, në uebsajtin e UEFA-s ka folur edhe trajneri Stavri Nica, i cili e ka përshkruar kështu ndeshjen e sotme për kompeticionet europiane që Laçi do të luajë për herë të parë në stadiumin e tij.
“Ne nuk kemi fituar asnjë nga ndeshjet e mëparshme, kështu që do të jetë hyjnore nëse do ta arrijmë atë përpara tifozëve tanë”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





