· Diktatori ishte i nxehur pasi vetë ai kishte iniciuar një lëvizje që atëherë njihej si emancipimi i gruas për atë që quhet sot gender / barazi gjinore
· “Kujdes që çështja e mbrojtjes së personalitetit të gruas të mos kthehet në një “luftë” kundër burrave”
· “Kjo punë, natyrisht, nuk bëhet as me dekret, as se po ju them unë. Të gjithë jemi njerëz me kokë, që mendojmë dhe reflektojmë, dhe e kemi të qartë se nuk ka njeri që të mos dojë nënën, gruan, vajzën, motrën”
DURRËS, 10 korrik 2014 – “Pse u mblodhën mënjanë në dhomën e një fabrike në Durrës 15 burra dhe folën keq për gratë që ishin ngritur në përgjegjësi?”, pyeste, më 23 shkurt 1967, diktatori Enver Hoxha në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH, udhëheqësi komunist ishte i nxehur pasi vetë ai kishte iniciuar një lëvizje që atëherë njihej si emancipimi i gruas për atë që quhet sot gender / barazi gjinore. Madje, së bashku me bashkëshorten, Nexhmijen, Hoxha ka vizituar dhe kursin me vajza nga malësia në kampin e pionierëve në Plepa (në foto.)
JO “LUFTË” KUNDËR BURRAVE
Në Ditar-in sekret të Enver Hoxhës, më 17 shkurt (ditë e premte) 1967, ndër të tjera, shkruhet:
“Mora pjesë në mbledhjen e byrosë së Komitetit të Partisë të Rrethit të Durrësit”.
Pasi flet gjerë e gjatë për punimet e këtij tubimi, Hoxhës shënon:
“Gjatë diskutimeve shokët ngritën këto probleme:
– Duhet të kihet kujdes që çështja e mbrojtjes së personalitetit të gruas të mos kthehet në një “luftë” kundër burrave…
– Ngritja e grave ose e kujtdo tjetër në përgjegjësi nuk duhet kurrë të konsiderohet si diçka formale, por të merret qysh në fillim me seriozitetin më të madh…
– Gratë, për mbrojtjen e të drejtave të tyre, kërkojnë njëkohësisht edhe ndihmën e Partisë…
Nuk luftohen konceptet kundër grave, por thuhet vetëm “unë do ta ndihmoj gruan në shtëpi” etj. ose kur flitet për disa shfaqje kundër gruas, qeshet, në vend që të thellohen për këto sjellje skandaloze”.
“AS ME DEKRET, AS SE PO JU THEM UNË”
Kaq seriozisht e kishte marrë këtë problem, sa të nesërmen, më 18 shkurt (ditë e shtunë) 1967, shkruante:
“Vizitova kooperativën bujqësore të Shijakut, qendër e madhe kooperativiste, që shkon shumë mirë. Shijakasit po e përqafojnë shpejt të renë përparimtare; vizitova furrat e bukës. Shumë mirë i kanë organizuar. Bisedova me punonjësit, bëra fotografi me gratë brigadiere, ishin nja shtatë a tetë shoqe; mundësitë janë që të kenë edhe më shumë shoqe brigadiere; tani ato do të ecin përpara. Që andej shkova në qytetin e Shijakut, ku vizitova Fabrikën e Niseshtesë. Dhe atje punojnë pothuajse vetëm gra.
Në të kthyer, në qendrën e qytetit, kishin dalë qindra njerëz të popullit. Zbrita nga makina, u takova me ta dhe u fola për problemet aktuale që na preokupojnë të gjithë; entuziazmi ishte i madh në i pyeta: a janë në rrugë të drejtë këto që po bëjmë? Me entuziazëm të papërshkruar thërrisnin: “Po, shumë të drejta; do të punojmë dhe do të luftojmë siç na mëson Partia”.
Në këtë miting “spontan”, ku tori një fjalim të gjatë, Hoxha u tha shijakasve, mes të tjerave:
“Zakonet e këqija, të trashëguara nga feudalët, kanë hyrë në ndërgjegjen tonë pa u kuptuar, por tani, siç na mëson Partia, të përpiqemi t’i zhdukim. Kjo punë, natyrisht, nuk bëhet as me dekret, as se po ju them unë. Të gjithë jemi njerëz me kokë, që mendojmë dhe reflektojmë, dhe e kemi të qartë se nuk ka njeri që të mos dojë nënën, gruan, vajzën, motrën. Por të mos mjaftohemi me kaq, të punojmë që ato të jenë aktive, t’i bëjmë të afta që vetë të luftojnë, të mbrohen në jetë, të punojnë dhe të krijojnë”.
PSE?
5 ditë më vonë, më 23 shkurt (dita e enjte) 1967, diktatori plas “bombën”: “Pse u mblodhën mënjanë në dhomën e një fabrike në Durrës 15 burra dhe folën keq për gratë që ishin ngritur në përgjegjësi?”.
Këto fjalë u shqiptuan në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH, kur po diskutohej rreth raportit “Mbi disa probleme të punës me kuadrin për vitin 1966”, Ky shpërthim i Hoxhës tregon se ishte tejet i acaruar, pasi është kthyer nga vizita në rrethin bregdetar:
“Po ta bëjmë qarkullimin e kuadrit në mënyrë burokratike dhe pa e menduar mirë, mund të na krijohet edhe rreziku i ndarjes së kuadrove në të rinj e në të vjetër, në burra e në gra. Pse u mblodhën mënjanë në dhomën e një fabrike në Durrës 15 burra dhe folën keq për gratë që ishin ngritur në përgjegjësi? Kjo, natyrisht, është vërtet një rast, por megjithatë tregon për konceptet e tyre të gabuara, të cilat i ushqen edhe metoda burokratike që përdoret në disa raste në emërimin e kuadrove. Këtë duhet ta kemi parasysh për të gjetur një metodë të përshtatshme, masovike, që njerëz me pikëpamje të tilla të mos kenë mundësi të bëjnë nga këto gjëra. Në qoftë se ndonjëri në mbledhje të kolektivit do të ngrihet dhe do të pyesë, pse të vendoset kjo vajzë e re në këtë ose atë vend, kolektivi, që e do dhe e ka propozuar vetë atë, do të dijë t’i japë përgjigje”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





