Në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja, Kosova ka shpallur të premten, 24 prill, Ditë zie shtetërore. Njoftimin e ka bërë me dije presidentja në detyrë Albulena Haxhiu.

“Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, ka shkruar ajo.

Akademiku Qosja vdiq sot në moshën 89-vjeçare dhe u varros në varrezat e Dragodanit pa një ceremoni sikurse ai e kishte lënë amanet. Familja bëri me dije se nuk do të organizojnë një ceremoni pritjeje dhe as do të marrin pjesë në ceremonitë e organizuara nga institucionet me dëshirën e të ndjerit.

“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, thuhet në njoftim.

Rexhep Qosja ishte shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti dhe akademik. Përveç veprimtarisë akademike, Qosja njihej edhe si një nga zërat më të fortë dhe shpesh polemikë në debatet publike shqiptare. Ai ka trajtuar çështje që lidhen me identitetin kombëtar, historinë, kulturën dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri.