DURRËS, 8 korrik 2014 –  Kanë shkuar “si cjapi te kasapi”: tri firma ndërtimi nga 12 pjesëmarrëse në tenderin për sistemime, meremetime dhe lyerje totale të godinave të filialit Durrës të SHISH-t, janë shkualifikuar pasi agjencia e “007-ave” ka zbuluar se ishin me probleme.

Përfundimisht, një firmë ndërtimi nga Tirana ka fituar tenderin e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) për sistemime, meremetime dhe lyerje totale të godinave të Filialit Durrës me një ofertë, e kualifikuar e dyta, prej 1 252 490 lekë.

SHISH-i ka bërë të ditur se në procedurë morën pjesë 12 operatorë ekonomikë për një fond modest limit prej 1 666 667 lekë, të cilat kanë dhënë oferta nga 1 244 575 deri 1 511 860 lekë.

Shërbimi sekret thotë se janë shkualifikuar tre ofertues.

Doli se operatori i parë, që kishte dhënë ofertën më të ulët (1 244 575 lekë), ka detyrime, gjoba dhe interesa në tatim fitimin dhe në tatimin për vlerën e shtuar prej 44 869 473 lekë.

Ofertuesi i radhitur i gjashti, me vlerën 1 315 100 lekë, rezulton se sipas vërtetimit datë 28.04.2014, lëshuar nga Raiffeisen Bank, Distrikti Tirana 1, Dega “028”, gjendjen e llogarisë në datën 28.04.2014 e ka më të ulët se 50 % të vlerës së përllogaritur të kontratës, sipas kushteve të vendosura nga autoriteti kontraktues (SHISH) në shtojcën 8, pika 2

Kurse firma e renditur në vendin e 12-të, me vlerën 1 521 965 lekë, nuk ka paraqitur shtojcën ekstra “Deklaratë mbi Gjendjen Gjyqësore”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/