Durrës, 6 korrik 2014 – Trajneri i Teutës, Hasan Lika beson se durrsakët janë në rrugën e duhur për të ndërtuar një ekip kompakt dhe konkurrues për sezonin e ri. “Djemtë e detit” i janë rikthyer stërvitjes, bashkë me një numër të konsiderueshëm lojtarësh të afruar së fundmi. Trajneri Hasan Lika, shprehet pozitivisht për secilin prej tyre.

“E kemi nisur mirë dhe qetësisht përgatitjen për sezonin e ri. Fillimisht, derisa të udhëtojmë për në Austri do të zhvillojmë vetëm një seancë stërvitore në ditë. Më pas, sipas programit, edhe stërvitja do intensifikohet. Këto ditë po përpiqemi t’i fusim lojtarët në rutinën e zakonshme të stërvitjes me intensitet gjithnjë e në rritje. Po e përballojnë mirë falë edhe stërvitjes individuale që ka bërë secili prej tyre edhe gjatë kohës së pushimeve. Në lidhje me lojtarët e rinj, mund të them se impakti i parë është shumë pozitiv. Gjithsesi, është ende herët të përcaktohen detaje për secilin prej tyre në vetëm disa ditë stërvitje”, thotë fillimisht numri një i pankinës durrsake. Më tej, Lika shprehet: “Ditë pas dite i kemi idetë edhe më të qarta dhe besoj që po marrim vendimet e duhura në dobi të skuadrës. Presim që grupit t’i bashkohet në ditët e ardhshme edhe sulmuesi Migen Memelli, i cili edhe për pak kohë ka lejen e klubit. Po ashtu po presim edhe sulmuesin Samb, me të cilin pas datës 10 korrik besoj se do t’i kemi gjërat më të qarta. Merkatoja nuk është mbyllur ende, kështu që do vlerësojmë siç duhet çdo nevojë që ka skuadra”,- thotë Lika.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/