Tiranë, 6 korrik 2014 – Kryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti, deklaron se biznesmeni Artan Santo është vrarë nga shërbime të huaja.
Ai bën me dije se, PPR ka zhvilluar takime me ekspertë të sigurisë kombëtare, ku analizat e tyre kanë rezultuar në një përfundim se biznesmeni Santo u vra nga shërbime të huaja të lidhura me filiale të bankave të huaja.
Sipas konkluzioneve të ekspertëve të vjetër të sigurisë kombëtare, atentati ndaj Santos vjen për të dobësuar financat shqiptare, pasi banka që drejtoi biznesmeni ishte një ndër bankat më të suksesshme shqiptare.
“Vrasja e bankierit Artan Santo, drejtor ekzekutiv i të vetmes bankë shqiptare, tregon se sa i ekspozuar është ky sektor kaq delikat për ekonominë shqiptare. Edhe më shqetësuese është mënyra se si u krye ky ekzekutim makabër, në zonën më të sigurt të kryeqytetit. Partia e Punës e Riorganizuar ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve analiza të zgjeruara me ekspertë të vjetër të sigurisë kombëtare dhe ish-kuadro të kundërzbulimit shqiptar. Konkluzioni i këtyre analizave është se atentati ndaj Santos nuk është thjesht një goditje ndaj një kryebankieri, por një goditje që synon pavarësinë e financave të shqiptarëve. Objektivi i zgjedhur ishte drejtuesi i një banke që, jo vetëm ishte e vetmja me kapital shqiptar, por edhe një ndër katër bankat më të suksesshme gjatë viteve të fundit. Ekspertët thanë se gjatë analizës së informacioneve të mbledhura prej tyre gjatë ditëve të fundit, rezulton se dyshimet më të mëdha bien mbi shërbime të huaja, të lidhura ngushtë me filiale të bankave të huaja që veprojnë në Shqipëri”,- bën me dije Dajti në një njoftim për shtyp.
Sipas konkluzioneve, bankat e huaja që mbledhin kursimet e shqiptarëve, kontrollojnë gjithë financat shqiptare.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





