Tiranë, 6 korrik 2014 – Një 56-vjeçar bullgar do t’i japë llogari drejtësisë shqiptare për trafikimin dhe shfrytëzimin si prostitutë të gruas së tij, shumë vite më të re. Historia e ka zanafillën në vitin 2009, kur Tomcho Tomov ka lidhur martesë me vajzën nga Pogradeci, të cilën më pas e ka keqtrajtuar fizikisht e psikologjikisht, duke e detyruar të bënte prostitutën me klientët që ai vetë i siguronte.
Skandali thellohet edhe më tej, kur V.Tomov, ka ngelur shtatzënë me një nga ‘dhunuesit’ e saj dhe ka sjellë në jetë fëmijën. Sikurse shkruan “Gazeta Shqiptare” bullgari ka tentuar të japë fëmijën për birësim, por gruaja ka mundur ta shpëtojë, duke e dërguar tek prindërit e saj.
Pasi është shfrytëzuar në qytetin e Pogradecit, për disa vite, Tomov ka tentuar ta trafikojë gruan drejt Italisë, me ndihmën e mikut të tij, Alesio Cullhaj, edhe ky i fundit tashmë nën akuzë.
Cullhaj dhe V.Tomov, nuk janë lejuar të kalojnë drejt Italisë dhe pikërisht këtë moment ka shfrytëzuar gruaja për të denoncuar keqtrajtimet barbare dhe tentativën për ta trafikuar drejt shtetit fqinj. Pas denoncimit janë vënë në pranga dy të dyshuarit, të cilët tashmë do të gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





