·        Kompanitë italiane gjithnjë e më tepër po i hedhin sytë drejt punëtorëve emigrantë shqiptarë të cilët po kthehen në shtëpi për të punuar në  call center-at e tyre. Në këtë aspekt po ndihmon një projekt i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, financuar nga BE-ja në Shqipëri.

DURRËS, 2 korrik 2014 –  Qyteti bregdetar i Durrësit, qyteti i dytë i Shqipërisë, ka një qendër dinamike biznesi, njofton Organizata Ndërkombëtare e Punës (ONP -ILO) në një reportazh të vetin.

Ekonomia vendore është përqendruar kryesisht në port, por qyteti është gjithashtu një qendër e madhe për call centre-t italiane.

Për arsye se shumë shqiptarë flasin rrjedhshëm italisht, vendi është bërë gjithnjë e më popullor për sipërmarrjet italiane që kërkojnë zvogëlimin e shpenzimeve në krizën ekonomike, që po vazhdon.

Prirje të ngjashme mund të shihet në vende të tjera evropiane, me call centre-t franceze të hapura në Tunizi dhe Marok, dhe call centre-t britanike të vendosura në Indi.

Në rrugë kryesore të Durrësit buzë detit Adriatik, ne takohemi me Besmirë Hysenbelliun, një femër shqiptare 28 vjeçe me diplomë në drejtësi, e cila sapo është kthyer në atdhe pasi kaloi 13 vjet në Itali.

“Kam një diplomë në drejtësi nga një universitet italian, por për shkak të krizës ekonomike, nuk mund të gjej punë si juriste atje. Tani unë kam vendosur të kthehem në Shqipëri”, tha ajo për sajtin e ILO-s (ONP).

 “Unë ende nuk mund të punoj si juriste në Shqipëri. Së pari, më duhet të fitoj provimin e shtetit. Tani për tani po punoj me kohë të pjesshme si praktikante në një studio ligjore, por gjithashtu kam nevojë për një punë tjetër për të jetuar… Kështu që jam e kënaqur që gjeta punë në një call center italian të sapohapur në Durrës”.

REDUKTIMI I BUROKRACISË PËR EMIGRANTËT E KTHYER NË ATDHE

Besmirë Hysenbelliu gjeti punë pas vizitës në zyrën e re të punës në Durrës, e cila ka përfituar nga asistenca teknike e ofruar nga një projekt i ONP-së, të financuar nga Bashkimi Evropian. Një nga objektivat e projektit ishte shndërrimi i zyrave të vjetra të punës në të gjithë vendin në qendra moderne, të mirë-projektuara dhe miqësore shërbimi për personat që kërkojnë punë, sipas praktikave më të mira në shërbimet publike të punësimit në Bashkimin Evropian.

Kur shkoi në zyrë, gruaja e re u takua me një specialiste emigrimi Alma Salataj, e cila shpejt identifikoi një ofertë pune për të në një call centre, që sapo ishte hapur.

“Për shkak se njohin shumë të mirë gjuhën dhe kulturën italiane, emigrantët shqiptarë që rikthehen në atdhe, janë në mesin e njerëzve, që call centre-t pëlqejnë të marrin në punë. Nga 200 persona të angazhuar nga call center-i që sapo u hap, 30 prej tyre ishin emigrantë shqiptarë që janë kthyer nga Italia”, tha ajo.

Hysenbelliu është e kënaqur me jetën e saj të re në Durrës. Ajo ende shpreson për të gjetur punë si avokate një ditë dhe nuk ka ndonjë plan të rikthehet në Itali.

 “Call centre-et filluan të hapen në Durrës katër vjet më parë dhe që atëherë janë krijuar rreth 2 000 vende të reja pune”, tha Majlindë Mema, shefe e agjencisë së Durrësit të Zyrës së Punës. “Po shohim shumë se emigrantë shqiptarë po kthehen nga Greqia, kështu që ne presim të hapen së shpejti call centre-e greke”.

PAGAT E ULËTA, KOSTO TË LIRË JETESE

Pagat për njerëzit që punojnë në  call center-t shqiptare janë mjaft të ulëta krahasuar me standardet e Evropës Perëndimore (rreth 300 euro në muaj për punë me kohë të plotë). Megjithatë, kostoja e jetesës në Shqipëri është shumë më e ulët dhe vendet e punës në  call center-t gjithashtu ofrojnë një mënyrë që studentët të financojnë studimet e tyre.

Maurizio Ribandone është konsulent për kompaninë i ngarkuar me hapjen e  call center-it, ku Hysenbelliu është punësuar tani. Ai pranon se bumi i  call center-eve italiane në Shqipëri u nxit për shkak të krizës ekonomike në Itali, por shton se call center-et përfaqësojnë një burim të rëndësishëm për krijimin e vendeve të punës në Shqipëri, një vend që – si Italia – vuan nga papunësia e lartë.

"Ne bashkëpunojmë aktivisht me zyrën e punës për të rekrutuar staf të ri, dhe ne mundësojmë që njerëzit të marrin aftësi të reja”, tha ai, duke iu referuar pretendimeve të industrisë për dumping social.

Z. Ribandone gjithashtu pret të hapen më shumë call center-e në Shqipëri. Ai beson se ata do të mbështeten gjithmonë e më pak në telefonatat drejt klientëve dhe kalojnë drejt platformave të ndihmës dhe ueb-sajteve të medieve sociale, gjë që pasqyron një prirje të re në shërbimet e klientelës dhe do të kërkojnë kualifikime të reja. Por ende do të duhet italishtja.

"Kthimi i emigrantëve shqiptarë nga vendet fqinje të goditura nga kriza ekonomike si Greqia dhe Italia është një sfidë për Shqipërinë, e cila tashmë përballet me një nivel të lartë papunësie, sidomos midis të rinjve”, tha Maria da Carmo Gomes, shefe e projektit të ONP-së, financuar nga BE-ja “Zhvillimi i Burimeve Njerëzore në Shqipëri”.

“Agjencitë e reja të zyrave të punës kanë personel të kualifikuar për t’u marrë me problemet specifike me të cilat përballen emigrantët, nëse janë shtetas shqiptarë që kthehen në atdhe apo shtetas të huaj që kërkojnë punë apo që synojnë të ngrenë biznes në Shqipëri. Agjencitë me siguri të rrisin shanset për emigrantët punëkërkues për të gjetur një punë këtu”, përfundoi ajo.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/