DURRËS, 5 korrik  2014 –Para disa ditësh, u mbajt në Shtëpinë e Kinemasë në Romë, edicioni i gjashtë i Moneygram Award për sipërmarrësit e huaj në Itali.

Me këtë konkurs, prej gjashtë vjetësh MoneyGram International, gjiganti i transferimit të parave, promovon më të mirat mes qindra mijërave ndërmarrjeve të drejtuara nga sipërmarrës të huaj në Itali dhe vlerëson ata që kanë dëshmuar aftësitë e udhëheqjes dhe të përshtatjes me sukses së punës së rrugën e tyre me Italinë.

Juria e këtij viti, e drejtuar nga Natale Forlani, drejtor i përgjithshëm i Zyrës së imigracionit të Ministrisë së Punës Ministria e Punës dhe e përbërë nga eksponentë të rëndësishëm të ekonomisë, financës dhe të komuniteteve akademike, shpallën finalistët dhe fituesit e pesë kategorive (Rritje, Punësim, Novacion, Sipërmarrje e të Rinjve dhe Përgjegjësia Sociale) të çmimit Moneygram si edhe çmimin e madh “Sipërmarrësi i vitit”.

Ndër kategoritë e ndryshme, ajo e Përgjegjësisë Sociale u fitua nga Klodianë Çuka, për shoqatën që drejton Integra Onlus.

Mediet e Apenineve i kanë kushtuar vëmendje të madhe veprimtarisë së durrsake (shih dy nga faksimilet).

Info 1

Klodianë Çuka, 42 vjeçe, ka lindur në Durrës e nga viti 1992 jeton në Leçe (Lecce).

Në vitin 2002 ka themeluar Integra Onlus, shoqatë që drejton edhe sot e kësaj dite.

Integra Onlusmerret me politikat e migrimit, duke ofruar shërbime nga më të ndryshmet për pritjen e integrimin e imigrantëve në Itali.

Në vitin 2013, shoqata numëronte 7 punonjës të varur e rreth 20 bashkëpunëtorë.

 “Krenare që drejtoj e përfaqësoj Integra Onlus – shkruan Klodianë Çuka në profilin e saj Facebook. – Krenare që tregoj për dhjetëra e dhjetëra operatorët që çdo ditë punojnë me gjithë shpirt për më të dobëtit. Sot ndiej zemrën shqiptare të mbushur me gëzim ndërsa vazhdoj të përcjell vlerat e Salentos nëpër Itali përmes solidaritetit”.

Info 2

Në provincën e Riminit, çdo 11 ndërmarrje, një administrohet nga të huaj.

Për më tepër, nëse numri i atyre që administrohen nga italianë bie, shtohen sipërmarrjet e të huajve.

 E thonë të dhënat e provincës lidhur me tremestrin e tretë të vitit 2013: sipërmarrësit në provincë janë gjithsej 58.980 (nga 59.746 që ishin një vit më parë), ndër këta 5.356 janë të huaj (nga 5.336 që numëroheshin një vit më parë).

Ndër sipërmarrësit e huaj spikasin shqiptarët: administratorë, titullarë apo ortakë numërohen 792 persona.

Në renditjen sipas kombësisë ndjekin shtetasit e San Marinos (443), Rumanisë (431), Kinës (381), Zvicrës (371) dhe Bangladeshit (327).

Sipërmarrjet e të huajve janë të përqendruara në kryeqendrën e provincës, Rimini (mbi 2.850), e pasuar nga Riccione (518) dhe Bellaria (323).

Sipërmarrjet e të huajve janë shtuar lehtë në sektorin e tregtisë (nga 1.599 në 1.607), të shërbimeve të hotelerisë dhe restoranteve (nga 632 në 668) e në shitblerjen e pasurive të patundshme (nga 228 në 241).

Kanë pësuar rënie të lehtë në sektorin e ndërtimeve që gjithsesi mbetet sektori i parë për numër sipërmarrjesh (nga 1.571 në 1.531) dhe në bujqësi (nga 126 në 121).

“Nga të dhënat e mësipërme – komenton kreu i drejtorisë provinciale për Ekonominë, Fabio Galli – del në dritë gjallëria e dinamizmi i sipërmarrjes së të huajve në territorin tonë. Sipërmarrja e të huajve në  provincën e Riminit është tashmë realitet i qëndrueshëm me të cilin duhet e mund të dialogohet duke bërë të gjithë një hap drejt tjetrit për të shmangur mbyllje apo “getoizime” që tregu dhe ekonomia reale tregojnë se kanë kapërcyer”.

/Sipas “shqiptarit të Italisë”, th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/