·        Të shtunën më 5 korrik 2014, në mjediset e zhveshura të ish-pallatit mbretëror do të rikrijohet një atmosferë antike nën tingujt e muzikës së Barsanti-t, Piani-t, Vinci-t, Poropora-s, Vivaldi-t, Hendel-it, Bach-ut

DURRËS, 5 korrik 2014 –  Fundjavë “baroke” në Vilën romantike të Zogut, në mbrëmjen e 5 korrikut 2014 Daorsë Dervishi (në foton kryesore), flautistja e njohur durrsake, e bija e shkrimtarëve Met dhe Florë Dervishi, në përbërje të Albanian Baroque Ensemble, do të japë koncert me muzikë baroke të viteve 1600-1700.

ALBANIAN BAROQUE ENSEMBLE

Formacioni Albanian Baroque Ensemble (Marco Lazzara – controtenore, Jusuf Beshiri – klavicembalo, Perikli Pite – viola da gamba, Daorsë Dervishi – flaut) i përbërë nga muzikantë italianë dhe shqiptarë të formuar në Itali, vjen në edicionin e parë të Festivalit të Vox Baroque me muzikë antike, organizuar nga Shoqata Kulturore Artistike Jan Kukuzeli me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Me qëllim përhapjen e muzikës baroke, një lëvizje kulturore e lindur në Itali, orkestra do të japë disa koncerte me instrumente të vjetra, duke propozuar një program të kompozitorëve italianë si Barsanti, Piani, Vinci, Poropora dhe Vivaldi dhe dy pjesë, një nga Hendel-i (kompozitor që ka jetuar gjatë në Itali) dhe një nga Bach-u, si dy nga pikat mbështetëse shumë interesante dhe të rëndësishme për të nxjerrë në pah edhe më shumë bukurinë dhe rëndësinë e muzikës dhe stilit italian në botë.

“Në të gjitha netët do të luhet vetëm me instrumente origjinale të periudhës baroke: flauti traversier, klaviçembalo, viola da gamba, lahuta baroke, violinat, etj. Të gjithë muzikantët janë të specializuar në interpretimin e këtij repertori”, pohon artistja shqiptare Daorsë Dervishi.

Ky festival ka pjesëmarrje ndërkombëtare me muzikantë nga Austria, Greqia, Çekia dhe Italia.

FESTIVALI I MUZIKËS SË VJETËR “VOX BAROQUE”

Festivali i Muzikës së Vjetër Vox Baroque (2-12 korrik 2014) është festivali i parë në Shqipëri që i kushtohet tërësisht repertorit barok, thotë Ministria e Kulturës.

Synimi i këtij festivali është të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente origjinale, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe.

Këto rregulla, siç dihet, ishin të ndryshme si nga pikëpamja gjeografike ashtu edhe nga ajo kohore, nuk shënoheshin në partitura dhe e vetmja mënyrë për t'i njohur dhe, mirinterpretuar sot, është studimi i traktateve teorike dhe i kronikave të asaj kohe.

Një synim tjetër i këtij festivali është të zgjerojë sa më shumë panoramën e barokut duke i sjellë publikut një repertor të pasur jo vetëm me pjesë të kompozitorëve të njohur, por edhe me pjesë qe deri më sot nuk janë luajtur në skenat shqiptare.

Ky festival zhvillohet në pesë nga qytetet më të rëndësishmet të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë si: Durrësi, Tirana, Shkodra, Berati dhe Fieri. Koncerti i fundit do të zhvillohet në zonën turistike të Voskopojës.

KONCERTI ME NIPIN E ZOGUT

Të mërkurën e kaluar, më 2 korrik 2014 Vila e Zogut në Durrës ka çelur dyert për të parin festival të muzikës së vjetër Vox Baroque në Shqipëri (në foto).

Festivali u çel nga Princ Leka Anwar Zog Reza Baudouin Msiziwe Zogu, , në cilësinë e mikpritësit në Vilën e gjyshit, që megjithëse e zhveshur nga grabitjet masive të vitit 1997, nuk e ka humbur madhështinë dhe u kthye në një sallë të bukur koncertore e ndihmuar dhe nga atmosfera e stilit barok, projektuar në muret e zhveshura të saj.

Ansambli austriak i tingullit origjinal Barucco, i pari që hapi këtë festival, u mirëprit nga të ftuarit, që shijuan pjesë nga repertori i kompozitorëve Purcell, Corelli, Schmelzer dhe Muffat.

Të nesërmen, në mbrëmjen e 3 korrikut 2014, një tjetër grup austriak, kuarteti Hofkapelle, interpretoi në Vilë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/