Brazil, 30 qershor 2014 – Nigeria do luajë në 1/8-ën e Kupës së Botës kundër Francës, por lojtarët nuk janë stërvitur ditën e djeshme. Shkak është bërë një premtim i pa mbajtur i federatës nigeriane për premiot e lojtarëve. Lojtarët duan premiot para ndeshjes me Francën, pasi sipas tyre, kur të kthehen në shtëpi nuk do të marrin asnjë cent, ashtu siç ndodhi katër vite më parë.
Trajneri u mundua të fshihte situatën duke thënë se lojtarët kishin një takim për një orë, por ata nuk u dukën në kampin stërvitor. Në lëvizje është vënë menjëherë sekretari i përgjithshëm i federatës që është rikthyer në Nigeri për të njoftuar mbi rebelimin e futbollistëve dhe për të përshpejtuar procedurat e pagesës. Megjithatë, futbollistët kanë frikë se shpërndarja e premiove nuk do të bëhet para ndeshjes me Francën, përkundër kërcënimit të tyre.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





