Tiranë, 30 qershor 2014 – Më pak se një javë nga marrja e statusit të kandidatit, Shqipërinë e viziton kreu i institucionit që rekomandoi 3 herë statusin për vendin tonë, presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso. Mësohet se gjatë kësaj vizite që nisi sot më 30 qershor, Jose Manuel Barroso, do të vizitojë edhe Gjykatën e Krimeve të Rënda, e ndërtuar me fondet e Bashkimit Evropian.
Numri një i KE mbërriti në Tiranë, rreth ores 09:05, ku nisi një takim me kryeministrin e vendit Edi Rama. Detaje të këtij takimi kryeministri i bëri me dije gjatë konferencës së përbashkët. Rama e siguroi Barroson për vijimin e reformave dhe rrugën drejt anëtarësimit.
Rama: Statusi, jo arritje e njëanshme
Për rreth 1 orë e 30 minuta ka zgjatur takimi mes kryeministrit Rama dhe Presidentit të KE-së Jose Manuel Barroso. Detaje të këtij takimi kryeministri i bëri me dije gjatë konferencës së përbashkët.
“Vizita e tij ishte parashikuar 3 vite më parë nuk u realizua, por fatmirësisht doli më mirë pasi u krijua mundësia që ta vizitojë Shqipërinë si një vend që ka një status të veçantë atë të kandidatit për BE. Ky është një proçes i gjatë, jo i lehtë dhe nuk do ishte kurorëzuar me sukses pa punën dhe rezultatet e dukshme të qeverisë në 9 muaj, por nga ana tjetër nuk është proçes që i takon vetëm këtyre muajve por edhe punës së bërë në vite. E falënderova Presidentin Barroso për ndihmën që na jep dhe do na japë, duke na kujtuar detyrat tona të shtëpisë dhe inkurajuar që ti bëjmë më mirë. Faleminderit edhe komisionarit për zgjerim Stefan Fyle, mikut të mirë të shqiptarëve që ka udhëhequr gjithë proçesin e vetëdijesimit të klasës politke. Ne nuk e marrim statusin si trofe, as një arritje të njënshme, për të pasur një pozicion që ndan, por si një vlerësim për çka kemi bërë dhe një shkallë përgjegjësie për çfarë do bëjmë. Kemi ende detyra shtëpie për të realizuar”, tha Rama në nisje.
Më tej, kreu i ekzekutivit, shtoi se ka informuar Presidentin e KE-së për zhvillimet në ekonomi e reformat që do të ndërmarrë qeveria e tij.
“Ekonomia kthim në shinat e progresit, e informova presidentin Barroso, e sigurova të kryejmë të gjitha reformat e lëna pezull vit pas viti. Së bashku do punojmë për të përshpejtuar hapat drejt rrugës së anëtarësimit”.
Barroso: Statusi do të thotë angazhim në reforma
Nga ana e tij Barroso përshëndeti kryeministrin Edi Rama për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për anëtare në Bashkimin Europian. Barroso garantoi se Komisioni Euripian ka qenë gjithmonë në anën e Shqipërisë. Sipas Barroso dhënia e statusit për Shqipërinë duhet përkthyer në angazhim në reforma dhe gjithpërfshirje të klasës politikë në këtë proces.
“Fillimisht dua tju uroj ju z kryeministër për vendimin e BE për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Dhënia e statusit të vendit kandidat të cilin KE e ka pranuar në mënyrë unanime. Ne kemi qenë gjithnjë në anën tuaj dhe do vijojmë në anën tuaj. E mbaj mend kur ju prita në Bruksel në muajin shtator. Ju erdhët shumë shpejt menjëherë pas zgjedhjeve dhe ju thashë që besoja që do e merrnin vendin kandiat nëse do të ndërmerrnin ato hapa që ju kërkohen. Sepse statusi do të thotë që njihet angazhimi reformat. Lipset që të intensifikohen reformat duke u përqëndruar në reformën në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reforma bë gjyqësor, por për këtë nevojitet gjithpërfshirje” ,- tha Barroso.





