SHBA, 29 qershor 2014 – Harron fëmijën në makinë dhe kur kthehet e gjen të vdekur. Ngjarja tragjike është regjistruar në datë 18 qershor në Atlanta, SHBA, gjatë një dite të nxehtë, kur termometri shënonte 34 gradë.

33 vjeçari Justin Ross Harris kishte harruar në sediljen e pasme të makinës fëmijën 22 muajsh. Kur ka mbaruar punën dhe është kthyer në automjet e ka gjetur atë të vdekur.

Sipas Harris, ai ishte shumë i stresuar sepse ishte bërë vonë për punë dhe i kishte dalë nga mendja të çonte fëmijën në kopësht duke i shkaktuar kështu një vdekje tragjike.

Gjatë ceremonisë së varrimit, gruaja e Harris dhe nëna e fëmijës së vdekur ka deklaruar se bashkëshorti i saj ishte një baba shembullor dhe ajo e ka falur për pakujdesinë e tij.  

Por hetuesit kanë zbuluar se të dy prindërit kishin parë materiale në internet që flisnin për temperaturat e larta, që mund t’i shkaktojnë vdekjen një fëmije që mbetet i mbyllur në një automjet.

Nëse prindërit e kishin paramenduar vdekjen e fëmijës së tyre, apo nëse bëhet fjalë për një rastësi të çuditshme që goditi dy prindër që po mundoheshin të ruanin djalin e tyre pikërisht nga një situatë si ajo që i mori jetën, kjo mbetet për t’u zbuluar gjatë procesit gjyqësor ndaj Harris.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/