Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 29 qershor 2014– Zhvillimi i turizmit në Shqipëri është shoqëruar përgjithësisht nga grandomania dhe përpjekja për të bërë hotele dhe restorante sa më luksoze shpeshherë një luks pa shije dhe i rëndë. Ky trend për disa vite ka filluar të thyhet duke ju drejtuar strukturave hoteliere më të lehta por me shije dhe më të orientuara nga tregu, nga grupe të përcaktuara turistësh.
Në fillim në Tiranë e më vonë dhe në rrethe filluan të ngrihen hotele modeste të tipit “HOSTEL”. Tirana si kryeqytet ka 10 hostele të tilla, të cilat rezultojnë të gjitha biznese të suksesshme. Hostele janë hapur në Shkodër (dy), Berat, Gjirokastër, Sarandë, Himarë, madje edhe në Theth dhe Valbonë të tipit “Guest House”. Në proces hapje është edhe një “hostel” në Dibër (Sic!). Fatkeqësisht Durrësi, i mbiquajtur edhe kryeqytet i turizmit shqiptar, ishte mbrapa në këtë drejtim.
Ishte pikërisht iniciativa e dy “çunave” durrsakë, të shëtitur e plot ide brilante, që hapi hostelin e parë në Durrës. Në zemër të qytetit, mu pranë Bashkisë, në ish-Kishën Mormone është hapur hosteli i Durrësit. Hosteli ka një kapacitet prej 8 dhomash, dy prej të cilave janë dopio dhe 35 shtretërish. Çmimi është 11-12 euro, i tipit B&B (Bed and Breakfast). Për dhomat çift çmimi shkon në 35 euro gjithnjë tipi B&B. Mobilimi tipik për hostel është i tipit Spartan, shtretër dy katësh tip marinara, madje me “hammock” (shtrat i varur) në kopësht, por funksional, me shije dhe mbi të gjitha ambienti ndrin nga pastërtia.
Për të shfrytëzuar më mirë ambientin dhe kopshtin rreth vilës dy katëshe është në hapje e sipër edhe një bar që do i shërbejë jo thjesht bujtësve të hostelit, por edhe qytetarëve durrsakë dhe turistëve të shumtë.
Pyetjeve tona për problemet, që mund të lindin me frekuentuesit e hostelit si turistët e tipit “Back packers” (turistë me thes fjetje në shpinë), apo grupet e çiklistëve , motorçiklistëve apo turistëve të tipit “globetrotters” (shëtitës të botës me pesë lekë në xhep) ju dha një përgjigje sa e thjeshtë aq e dhe bindëse. Shumica dërrmuese e këtyre kategorive të turistëve nuk janë të dhunshëm, kanë shkollim të nivelit të kolezhit, janë “dashnorë” të natyrës, jo të salltanetit. Ata nuk preferojnë turizmin masiv si ushtarët në kazermë e si refugjatë në mensa tipike për Antalien në Turqi apo Costa Bravan në Spanjë.
Pra prej tyre nuk presim telashe, por përkundrazi vlera të shtuara për komunitetin durrsak. Këmbënguljes tonë për probleme, që mund të shkaktojnë turistë të tillë për rendin publik d.m.th. probleme droge, dihet fjala vjen përvoja hollandeze në këtë drejtim si psh. tre fletëshi i famshëm. Për probleme morali, kujtojmë këtu telashet që i hapin popullsisë lokale turistët anglezë me orgjitë e tyre famëkeqe në ishullin e Rodit dhe të Santorinit pavarësisht se e harxhojnë paranë lumë në strukturat turistike lokale. Përgjigja ishte që thelbi i konceptit të hostelit është shkëmbimi i përvojave të udhëtarëve nga vende të ndryshme, nga shtresa të ndryshme shoqërore, me shije e preferenca të ndryshme, pra jo thjesht hotel për të ngrënë e për të fjetur, por edhe një vend i këndshëm, ku të ndihesh mirë e të të duket vetja thuajse si në shtëpinë tënde.
Për sa i përket reklamës, sipërmarrësit e këtij hoteli duke shfrytëzuar përvojën e tyre personale hollandeze dhe italiane theksojnë se nuk kanë ndërmend të bëjnë reklamë të kushtueshme, por do të shfrytëzojnë mjete innovative, siç është bota e internetit. Kështu ata janë regjistruar në Hostelworld.com. Pikërisht nga ky regjistrim kanë pasur edhe klientët e parë. Sipas dy sipërmarrësve durrsakë, reklama më e mirë është kënaqja në maksimum e klientit, i cili shndërrohet në reklamuesin më të mirë në komunitetin e atij tipi turisti, që preferon ta kalojë natën në strukturë hoteleriere të tipit hostel. Gjithashtu broshurat, fletëpalosjet, info të gjithanshme për Shqipërinë turistike janë pjesë e asaj që të ofron hosteli në qendër të qytetit.
“Guximtarët” që po hapin hostelin e parë në qarkun e Durrësit, janë të kënaqur me pushtetin lokal, sepse ju përgjigj pozitivisht kërkesës së tyre insistuese për të pastruar një mal me plehra, që ishte në qendër të Durrësit, mu përballë derës së hostelit. Ata theksojnë se ia vlen t’i paguash taksa kësaj bashkie, që të përgjigjet menjëherë për kërkesën që bën, kërkesë sa e arsyeshme aq edhe e dobishme për mbarëvajtjen e biznesit të hostelit, por edhe për higjenën e qendrës së qytetit.
Ngritja e një hosteli të tillë në zemër të Durrësit tregon se përvoja pozitive e arritjeve më të mira evropiane, në rastin tonë eksperienca nga Amsterdami, mund të transplantohet suksesshëm edhe në qytetin tonë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





