DURRËS, 26 qershor 2014 –  Më 27 qershor 2014, ora 9 paradite në sallën Arazzi ose sikurse quhet salla e Martesave të pallatit bashkiak marrin zyrtarisht nënshtetësinë italiane edhe dy durrsake, njofton bashkia Ferrara, qytet me mbi 134 mijë banorë, qendër administrative e provincës me të njëjtin emër në Emilia-Romanja.  

Gjatë një ceremonie të shkurtër, e cila do të kulmojë me betimin, qytetarët e rinj marrin një kopje të kushtetutës italiane shoqëruar me një letër mirëseardhjeje nga kryetari i bashkisë Ticiano Taljani (Tiziano Tagliani).

Ndërkaq, të enjten më 26 qershor morën nënshtetësinë italiane 7 të huaj, mes të cilëve një 29-vjeçare nga Tetova; një 56-vjeçar nga Tirana dhe një 38-vjeçar nga Lezha.

Të premten, më 27 qershor 2014 do të jetë radha e 9 të huajve të tjerë që do të betohen për atdheun e ri, Italinë.

Mes tyre janë dy femra durrsake: Suzanë Peroci, datëlindja 27 korrik 1953 dhe Silvanë Osmani, datëlindja 18 mars 1983.

Gjithashtu betohen edhe 2 pjesëtarë të familjes Gavoçi (Vera dhe Gjovalini) nga Stajka e Shkodrës, si dhe peqinasi Rezart Alushi.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/