Komisioneri për Çështjet e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, viziton nesër rreth orës 10:00 Tiranën.

Ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, ku pritet të kenë një konferencë të përbashkët për mediat. Në fund të vizitës Komisioneri do të ketë një takim edhe me kreun e PD-së Lulzim Basha.

Vizita e zyrtarit të lartë europian në Shqipëri, vjen në kuadër të turit në Ballkan me fokus ndihmën e BE-së në përballimin e pandemisë.

Gjatë vizitës në rajon, Varhelyi do të bisedojë me zyrtarët vendas për pandeminë e koronavirusit dhe mbështetjen e BE-së në këtë kontekst, është thënë në njoftimin e KE.

Bashkimi Evropian është angazhuar në mënyrë intensive që të mundësojë dërgimin e vaksinave kundër Covid 19 në Ballkanin Perëndimor.

Sjellim në vëmendje që së fundmi u dërguan 651 mijë doza të vaksinave Pfizer/BionTech për vendet e rajonit, mes të cilave edhe për Shqipërinë.