Tiranë, 26 qershor 2014 – Rreth orës 9:00 të mëngjesit të sotëm, automjeti i drejtuar nga Artan Santo ka dalë si zakonisht nga banesa e tij pranë Liceut Artistik në drejtim të filialit të bankës Credins pranë zonës së ish-bllokut. Artan Santo vinte nga Libri Univeristar në drejtim të parkimit në krah të rrugës midis bankës Credins dhe Vilës 30.

Nga rruga e kryqëzimit të Kryesisë së Kuvendit vinte motori i llojit “Suzuki V-Strom”. Dy persona të veshur identik me uniforma të mjeteve motorike me të njëjtat kokore në kokë, kanë ardhur nga Liceu Artistik, në drejtim të Kryeministrisë, më pas Kryesisë së Kuvendit dhe deri në drejtim të filialit të Bankës Credins, aty ku do të parkonte mjeti i Santos.

Ka qenë ora 9:15, kur sapo ka parkuar shoferi i Santos, ky i fundit ka qenë duke dalë nga dera e pasagjerit të përparmë, dhe automjeti është qëlluar. Në foton e siguruar nga A1 REPORT duket dhe gjurma e plumbit në derën e pasme të pasagjerit, që për policinë mbetet ende e paditur se nga është qëlluar, pasi dy autorët me motor kanë qenë të parkuar thuajse përballë automjetit, duke mos qenë në trajektoren e goditjes.

Pas kësaj të shtëne, 58-vjeçari ka nxituar të hyjë drejt bankës pasi brenda saj mund të ishte i sigurt, por nuk ia doli.

Pikërisht këtu, vrasësit i janë afruar trotuarit me një distancë 10 metra larg hyrjes së bankës, ku dhe kanë qëlluar mbi Artan Santon, sapo ky i fundit kishte ngjitur trotuarin pranë bankës. Distanca nga viktima është 10 metra ndërsa nga mjeti i Santos është 30 metra.

Santo është rrëzuar dhe autorët kanë qëlluar sërish për t’u siguruar që kishte vdekur.

Gjashtë plumba pistolete pa silenciator i dhanë fund jetës së biznesmenit dhe botuesit të suksesshëm Artan Santo.

Skena që ka zgjatur vetëm disa sekonda është parë nga disa dëshmitarë. I pari ka qenë roja i bankës, i cili ishte i vendosur në kabinë vetëm 2 metra larg trupit të pajetë.

Tregtarët ambulantë të luleve përreth zonës kanë dëgjuar fillimisht të shtënat e më pas kanë parë motorin të largohej në drejtim të Librit Universitar.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar “Suzukin V-Strom” dhe dy vrasësit të veshur me kokore të njëjta.

Pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë, tregojnë dy vrasësit e Artan Santos, dhe momentin e largimit të tyre nga vendi i ngjarjes në drejtim të Librit Universitar. Sipas informacioneve ata pas largimit nga Libri Universitar, janë drejtuar në drejtim të zonës së Selitës e më pas në drejtim të Fushë-Krujës.

I gjithë ky itinerar është nën vëzhgimin e forcave të shumta të policisë të mbështetura edhe nga helikopterët e Ministrisë së Brendshme.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/