Durrës, 26 qershor 2014 – Policia ka ndaluar 2 persona mbi vrasjen e biznesmenit Artan Santo. Ndalimi i dy personave është bërë në Fushë Krujë. Mësohet se janë shoqëruar pronari i një pike servisi dhe pronari i motorit që dy autorët përdorën gjatë ekzekutimit të Artan Santos.
Dëshmitë e tyre pritet të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen, pavarësisht se nuk dihet ende nëse ata kanë lidhje direkte me vrasjen.
Ndërkohë, publikimi i një videoje nga Balkanweb provon se vrasësit e kanë ndjekur Artan Santon gjatë rrugës për në punë. Në video shfaqet makina e Santos dhe pas saj motori me dy personat që pak minuta më vonë do t’i merrnin jetën në një nga zonat më të populluara të Tiranës.
Policia e kryeqytetit ka vendosur në dispozicion të çdo qytetari 100 mijë euro shpërblim, në rast se jepet informacion mbi vrasësit, duke ruajtur në anonimitet të plotë identitetin e tyre. Policia e Tiranës i fton qytetarët të telefonojnë në numrin 069 41 00003 si dhe në numrin pa pagesë 129.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





