Brazil, 26 qershor 2014 – Dikur i quanin marsianë. Nëse një lojtar merr topin dhe shkon drejt portës i vetëm, ose ndoshta pikturon me këmbët e tij në çdo ndeshje parabola të paimagjinueshme për vdekatarët e zakonshëm shpesh etiketohet si jashtëtokësor. Kur Stephen Keshit, trajnerit të Nigerisë i kërkuan një koment për Messin ai u mjaftua të thoshte, “Argjentina ka shumë lojtarë të mirë, por ai vjen nga Jupiteri”. Në pritje për të mësuar planetin e origjinës së Messit ne tokësorëve nuk na mbetet veçse të shijojmë superfuqitë e tij një gol i bukur me Bosnjën për të thyer akullin në një ndeshje të luajtur keq, një kryevepër ndaj Iranit kur koha e rregullt kishte skaduar dhe një dygolësh ndaj Nigerisë për tu ngjitur në kuotën e 4 finalizimeve në krye të klasifikimit të golashënuesve të Botërorit bashkë me Neymar i cili mund të mos vijë nga Jupiteri, por kur vesh fanellën me numrin 10 të Brazilit duket si Peter Parcer me maskën e njeriut merimangë.
Tashmë krizat e të vjellave janë hedhur pas shpatullave, ashtu si dhe zhgënjimet e një sezoni prej “Zero Tituli” me Barcelonën. Ata që flisnin për një Messi që kursehej para Botërorit tashmë fërkojnë duart duke thënë “e shikoni, kishim të drejtë”.Neymar i shumëkritikuar dhe ai te Barça ku vendosi shumë pak, është lideri i padiskutueshëm i Brazilit. Dygolësh në debutimin me Kroacinë, dygolësh kundër Kamerunit, vetëm Ochoa i mohoi golin përballë Meksikës. Shokët e skuadrës e kërkojnë dhe ai shkon gjithmonë të marrë topin, nuk spostohet kurrë në krahë edhe pse ndonjëherë niset nga e majta dhe nuk i shkel këmbët askujt në qendër ku Fred i lë hapësira. Ka një peshë të rëndë mbi shpatulla ku mban numrin 10 të Brazilit pesë herë kampion bote, por ai vazhdon të thotë se nuk ka presion pasi po jeton një ëndërr. “Transmeton gëzim”, thonë për të shokët e skuadrës në fushë dhe në stërvitje.
Ëndërr është një fjalë që e përdor edhe Messi i cili në vigjilje të Botërorit kishte thënë edhe se do ti pëlqente një finale me Neymar. Argjentina dhe Brazili kanë ende shumë probleme në lojën e tyre dhe tani për tani i falen thuajse vetëm gjenialitetit të kampionëve të tyre. Albiceleste ka një tabekë teorikisht të favorshme takon Zvicrën, pastaj Belgjikën ose Holandën në rrugën drejt titullit kështu që në 13 Korrik në Maracana takimi me fatin duket thuajse i fiksuar për Messin dhe Neymar. Shokë skuadre për një vit, por tani kundërshtarë me të njëjtën ëndërr. Por vetëm njëri prej tyre do të mund ta realizojë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





