Tiranë, 26 qershor 2014 – Inspektorati i pasurive firmos urdhrin që prek 45 kategori të administratës publike. Punonjësit në Tatime e Dogana s’duhet të jenë aksionerë.
Inspektori i Përgjithshëm Shkëlqim Ganaj ka përcaktuar kategoritë e zyrtarëve në Dogana dhe Tatime, të cilët nuk duhet të kenë aksione në shoqëritë tregtare, për të shmangur konfliktin e interesit.
Përmes dy urdhrave të nxjerrë dje, kryeinspektori ka hartuar një listë me 45 drejtori në të dyja institucionet, të cilat do të kenë një sërë kufizimesh sa i përket pjesëmarrjes në firmat private.
“Kategoria e zyrtarëve të administratës tatimore që do të përfshihen në kufizimet e parashikuara në nenin 32 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005, i ndryshuar, të cilët nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive asnjë aksion ose pjesë në kapital në shoqëritë tregtare, që shlyejnë detyrimet tatimore ose ushtrojnë veprimtari sipas fushës apo juridiksionit territorial, të kategorizuar sipas funksionit do të jenë…”, thuhet në urdhrin e nxjerrë nga Ganaj, i cili vijon më tej me kategoritë e zyrtarëve.
Konkretisht, në Drejtorinë e Tatimeve kufizimet për pjesëmarrjen në shoqëritë tregtare do të kenë kategoritë nga drejtori i Përgjithshëm, nëndrejtori, drejtori i Apelit Tatimor, drejtori i Avokatit të Tatimpaguesit dhe deri te inspektorët e përgjegjësit e sektorëve në drejtoritë rajonale.





