Tiranë, 26 qershor 2014 – Përmes një vendimi të djeshëm, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar rregulla të reja për shitjen apo privatizimin e objekteve apo sipërfaqeve në pronësi të shtetit. 

"Shitja e truallit të pashitur, sipërfaqe e domosdoshme të ndërmarrjeve dhe objekteve shtetërore, të privatizuara nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, degët e saj në rrethe, nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore, me degët e saj në rrethe, të bëhet në përputhje me këtë vendim, nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, sipas genplanit dhe dokumentacionit në momentin e privatizimit të tyre", përcakton vendimi.
 
Vendimi përcakton gjithashtu edhe dokumentacionin që duhet të paraqesin të interesuarit për të blerë pronat shtetërore në fjalë. Personat fizikë apo juridikë duhet të paraqesin kërkesën me shkrim për blerje të truallit bashkë me vërtetimin hipotekor apo kartelën e pasurisë, për objektin apo objektet që ka në pronësi, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, së bashku me hartën treguese të pasurive të paluajtshme, të përditësuar, jo më vonë se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës. 

Duhet të paraqesë gjithashtu, kopjen e noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo të ndërmarrjes, lëshuar nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore dhe nga ndërmarrjet përkatëse, përpara krijimit të agjencive, si dhe fotokopjen e noterizuar të genplanit ose të planimetrisë së objektit apo të ndërmarrjes (në çastin e privatizimit). 

E nevojshme është gjithashtu edhe kopja e noterizuar të lejes së ndërtimit, si dhe kopja e noterizuar të kontratës së blerjes si dhe një vërtetim nga organet e pushtetit vendor për pagesën e qirasë së truallit në përdorim nga data e lidhjes së kontratës së shitjes apo dhënies së lejes së ndërtimit deri më datën 7.6.2010.

Vendimi i këshillit të Ministrave përcakton se Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kërkon pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe zyrës përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme konfirmim për statusin e truallit, çmimin përkatës të shitjes, të përcaktuar në hartën e vlerës dhe hartën treguese me të dhënat e nevojshme gjeografike për zonën përkatëse. 

"Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, pas marrjes së dokumentacionit të nevojshëm nga organet e qeverisjes vendore, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, drejtoritë rajonale të bujqësisë dhe arkivat shtetërore vendore, njofton kërkuesin për t'u paraqitur pranë këtij institucioni, ku do të marrë informacion për vlerën e truallit që ai kërkon të privatizojë, si dhe për marrjen e autorizimit për pagesën e vlerës së truallit. Pagesa kryhet vetëm me lekë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e lëshimit të autorizimit", përcakton rregullorja e re.