Krujë, 9 qershor 2014  – Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur në një aksident të regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Krujë – Qafë Shtamë. Në aksident mësohet se është përfshirë një makinë ushtarake që transportonte municione luftarake. 

Mjeti tip Iveco, me targa ushtrie 02427, ka qenë duke udhëtuar në këtë aks rrugor, rreth orës 08.30, kur është përfshirë në aksident. Mësohet se drejtuesi i kamionit ka humbur kontrollin mbi mjetin, e për pasojë ka dalë nga rruga duke përfunduar në një lokal.

Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, Petrit Bruçe, rreth 40 vjeç, banues në Laknas, Tiranë, si dhe është plagosur një kalimtar i rastit. Mësohet se përplasja ka qenë e fuqishme aq sa municionet e ndodhura në mjetin ushtarak janë përhapur gjithandej, ndërkohë që një pjesë e mirë e lokalit ka pësuar dëmtime të shumta.

Menjëherë sapo morën njoftimin për ngjarjen, efektivët e rendit kanë shkuar në vendngjarje për të kryer veprimet e para hetimore për zbardhjen e dinamikës së këtij aksidenti tragjik.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/