Ukrainë, 7 qershor 2014 – Petro Poroshenko është betuar paraditen e së shtunës si president i Ukrainës, një lëvizje kjo që shpresohet të sjellë në përfundimin e luftimeve në lindje të vendit.
Pasaniku 48-vjeçar ka marrë një sërë mesazhesh mbështetëse nga Perëndimi, pas fitores së tij në zgjedhjet e 25 majit. Ditën e premte ai u takua shkurt me presidentin rus Vladimir Putin, takim gjatë të cilit tha se, ky mund të jetë fillimi i dialogut mes tyre.
Në fjalimin e tij, ai bëri thirrje për paqe, siguri dhe unitet, duke thënë se nuk është në kërkim të luftës apo hakmarrjes. Ndërsa sa i përket Krimesë, që u aneksua nga Rusia më herët gjatë vitit, Poroshenko tha se, ajo ka qenë dhe do të mbetet e Ukrainës.
Poroshenko është betuar në praninë e shumë zyrtarëve të lartë të huaj, mes të cilëve zv/presidenti amerikan Joe Biden, në Parlamentin e kryeqytetit Kiev. Në këtë ceremoni Rusia ka qenë e pranishme përmes ambasadorit të saj, të cilin Moska zyrtare e kishte thirrur në vend pasi ish-presidenti Viktor Yanukovych, i konsideruar si pro-rus, u rrëzua nga protestat e muajit shkurt.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





