Tiranë, 7 qershor 2014 – Skandali i keqtrajtimit deri në vdekje i Ilia Karelit, në burgun grek të Nigritas, thellohet dhe më shumë. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore në Shqipëri nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse zemra që u soll në Shqipëri nga një prokuror dhe një ekspert, pasi ishte mbajtur në Greqi, i përket ose jo viktimës Kareli, raporton “Gazeta Shqiptare”.
"Për shkak të ilaçeve dhe morfinës së përdorur në Greqi për ekspertizat, nuk është e mundur të përcaktohet ADN, kësisoj nuk mund të përcaktojmë nëse organi i zemrës, është ose jo i Ilia Karelit",-thuhet në përgjigjen që Mjekësia Ligjore, i ka kthyer prokurorisë së Fierit. Për të marrë zemrën e Ilia Kareli në Greqi, udhëtoi një prokuror dhe një ekspert i Mjekësisë Ligjore, pasi organi ishte mbajtur në Greqi me pretendimin se duhet të kryhej ekspertiza.
Pas marrjes së kësaj përgjigje, Prokuroria e Fierit, i është drejtuar institutit të Mjekësisë Ligjore, që të përcaktohet shkaku i vdekjes së fierakut Ilia Kareli, nisur vetëm nga dëmtimet që i janë konstatuar në trup, në momentin që i është nënshtruar autopsisë në Tiranë. Ndërkaq zemra u është dorëzuar familjarëve të Ilia Karelit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





