Angli, 7 qershor 2014 – Policia angleze e rajonit të Uellsit arrestoi një vit më parë një bandë të përbërë nga 6 shqiptarë dhe 2 bashkëpunëtorë anglezë. Banda kishte krijuar një “Lazarat” në Uells. Ata kishin marrë me qera 16 shtëpi të ndryshme duke i shndërruar në sera për kultivim kanabisi.
Në këto “sera” banda siguronte tre korrje në vit kanabisi. Policia gjatë arrestimit të anëtarëve të bandës sekuestroi: 7 500 rrënjë kanabisi, 25 000 stërlina kesh dhe një makinë luksoze të markës Bentley.
Një vit pas arrestimit dhe paraqitjes së të gjitha provave në gjykatë, drejtësia angleze dënoi me disa vite burg shqiptarët dhe anglezët, pjesë e kësaj bande kriminale.
Gjykata dha këto dënime për shqiptarët:
Alban Boka, 42 vjeç, u dënua me 10 vjet burg
Altin Boka (vëllai i Albanit), 34 vjeç, u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg
Ignis Asllanaj, 29 vjeç, u dënua me 8 vjet e 6 muaj burg
Blerim Nera, 31 vjeç, u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg
Julian Delu, 24 vjeç, u dënua me 3 vjet burg
Elvis Fikaj, 28 vjeç, u dënua me 2 vjet burg
Alban Bokaj dhe Ignis Asllanaj krahas akuzës për drogë u përballën edhe me akuzën e armëmbajtjes së armëve dhe municioneve pa leje.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





