DURRËS, 6 qershor 2014 – Aktualisht në paraburgimin e Durrësit ndodhen 50 persona mbi kapacitetin, kështu ka deklaruar kryegardiani i Shqipërisë z. Artur Zoto më 5 qershor 2014 gjatë një vizite në paraburgimin e qytetit bregdetar.
Drejtori i burgjeve të Shqipërisë, z. Artur Zoto, së bashku me të gjithë drejtuesit e tjerë të institucioneve të vuajtjes së dënimeve në vend, ka inspektuar më 5 qershor 2014 kushtet në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimit Penal Durrës (IEVP), i krijuar në korrik të vitit 2007.
Gjatë një prononcimi për mediet kreu i burgjeve tha se, ndonëse amnistia e fundit ka stabilizuar disi situatën e mbipopullimit në burgje, tashmë nga ky fenomen po vuajnë paraburgimet.
Sipas tij, Drejtoria e Burgjeve po sheh mundësinë për të kryer një shpërndarje të barabartë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend.
Aktualisht në paraburgimin e Durrësit ndodhen 50 persona mbi kapacitetin.
Info
IEVP Durrës kategorizohet institucion paraburgimi, me një seksion për të mitur si dhe një seksion për personat që konsiderohen bashkëpunëtorë të drejtësisë
Kapaciteti i institucionit është për 300 persona.
Në katin e parë të këtij objekti ndodhen ambientet këshilluese, sportive, kulturore, fetare dhe ambiente të tjera si ambienti i palestrës, ambiente për lojëra tavoline, biblioteka, ambientet e kultit, ambienti për punimet artizanale etj. Krijimi i këtyre ambienteve ka bërë të mundur gjallërimin e jetës në institucion nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të ndryshme me karakter social, edukues, kulturor, sportiv e fetar.
Për arsimimin e të paraburgosurve është arritur bashkëpunimi me shkollën “Vinçenc Prendushi” dhe janë planifikuar programet e mësimit, të cilat zhvillohen 3 herë në javë në regjimin e brendshëm.
Drejtuesi aktual i IEVP Durrës është z. Astrit Kotaj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





