5 Qershor 2014 – “Mos guxo të bësh asnjë hap tjetër”-iu drejtua Dhima deputetit neonazist Nikos Mihos kur u rrek të afrohej tek i pavaruri Petro KakapulosDeputeti shqiptar në Kuvendin e Greqisë, Pirro Dhima me emrin e natyralizuar Pyrros Dimas iu kundërpërgjigj ashpër dhe pa kurrfarë frike fyerjeve dhe kërcënimeve të partisë neonaziste “Agimi i Artë’.
Përfaqësues i socialistëve (PASOK), zoti Dhima e la pa fjalë kryetarin e neonazistëve Nikos Mihos, pasi ky i fundit kërcënoi fizikisht deputetin tjetër të pavarurin Petro Kakapulos në seancën plenare të së mërkurës.
Dhima, një kampion i hershëm në peshëngritje në Shqipëri dhe medalist olimpik i Greqisë pas vitit 1992, e komentoi në profilin e tij në rrjetin shoqëror fejsbuk konfliktin me Mihosin në seancën ku tre deputetëve të “Agimit të Artë” iu hoq imuniteti.
“Mos guxo të bësh asnjë hap tjetër”-iu drejtua Dhima deputetit Mihos kur u rrek të afrohej te Kakapulosi, sikurse raportoi televizioni “Ora News” në Tiranë.
Pirro Dhima shkruajti në “fejsbuk” se nuk frikësohej dhe se vinte nga një vend ku regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte mësuar të përballej e të mos fshihej:
“Unë nuk i trembem askujt dhe asnjë kërcënimi. Kjo është arsyeja pse unë jam në parlament, që mos të ketë frikë asnjë grek i rritur apo fëmijë. Unë u rrita në një regjim ku frika kultivohej në mënyrë sistematike. Unë kam mësuar që fëmijë që të përballem me të dhe të mos i fshihem. Dhe sa për baltën e anëtarëve të “Agimit të Artë”, që tashmë kam filluar të marrë në internet-është për mua medalje”.
“Demokracia, – shkruante më tej Pirro Dhima, – nuk është subjektive dhe patriotizmi nuk peshohet”.
Ministri i Shëndetësisë, Adonis Gjeorgjiadhis e vlerësoi shumë pozitën që mori Dhima nga Himara kur shkruajti në profilin e tij në rrjetin tjetër shoqëror “Tuiter” (“Twitter”):
“Madhështori nga Himara shpëtoi nderin duke parandaluar ndërhyrjen”!





