DURRËS, 5 qershor 2014 – WC-ja e parlamentit “qelbi” dhe një takim KE-Shqipëri, rreth sherrit të deputetit demokrat të qarkut të Durrësit, z. Gent Strazimiri me kolegë socialistë, mes tyre, i akuzuar, dhe kryetari i së majtës rurale të Durrësit z. Gentian Bejko.
Nuk dihet nëse kuvendari opozitar i Vlorës z. Arben Ristani ishte i dehur, por ka lënë nam më 4 qershor 2014 me “estradën” e tij para Komisionarit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë së Mirë, z. Shtefan Fyle (Štefan Füle).
Vlonjati Ristani thoshte “bathë-bathë-po-një-kokërr” kur e pyeste z. Fyle për incidentin në tualetin e parlamentit midis përfaqësuesit të qarkut të Durrësit Gent Strazimiri dhe tre (Ristani fliste për katër, kur PD-ja ka paditur penalisht vetëm tre!) deputetëve të majtë: Armando Prenga, Xhemal Qefalia dhe Gentian Bejko (i treti i qarkut të Durrësit).
“Gallata” më e madhe është se ndërsa Ristani thotë se Strazimirin “e shtrinë në tokë dhe filluan ta rrahin me kamxhikë”, vetë i dëmtuari deklaroi: “burrë që të më shtrijë mua në tokë nuk ka”!
JA DIALOGU
Deputeti z. Arben Ristani: Jam i ngarkuar t’ju raportoj për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë. Një javë më parë, katër banditë me mandate deputeti, kapën në befasi një deputet të opozitës [është fjala për z. Gent Strazimiri të qarkut të Durrësit – “Dyrrah”-u], ndërsa dilte nga tualeti i Kuvendit, e shtrinë në tokë dhe filluan ta rrahin me kamxhikë…
Komisionari i KE-së z. Shtefan Fyle: Si ka ndodhur, e kanë rrahur banditë me kamxhikë?!
Deputeti z. Arben Ristani:Po, po, deputeti po dilte nga tualeti dhe ata iu turrën me kamxhikë në dorë, e shtrinë përtokë dhe e përgjakën. Kjo është një bandë e vërtetë zoti Fyle. Po shyqyr që po marrim statusin dhe ne së bashku me ju, të ndihmojmë Shqipërinë të shpëtojë nga kjo bandë oligarki.
Komisionari i KE-së Shtefan Fyle: Më saktësoni, ju lutem, përshkrimin e ngjarjes.
Deputeti Arben Ristani:Po, po, deputeti po dilte nga tualeti dhe ata iu turrën me kamxhik në dorë, e shtrinë përtokë dhe e përgjakën. Kjo është një bandë e vërtetë zoti Fyle. Po shyqyr që po marrim statusin dhe ne së bashku me ju, të ndihmojmë Shqipërinë të shpëtojë nga kjo bandë oligarki.
Info
Më 27 maj 2014 grupi parlamentar i PD-së njoftoi se kishte dorëzuar në Prokurori një kallëzim penal ndaj deputetëve të mazhorancës Armando Prenga, Xhemal Qefalia dhe Gentian Bejko.
Sipas demokratëve, me sulmin ndaj deputetit Gent Strazimiri, tre deputetët e PS-së kanë konsumuar veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.
Ky kallëzim i adresohet Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ku thuhet se pa asnjë shkak dhe “në mënyrë kriminale, tre deputetë të Partisë Socialiste, konkretisht Armando Prenga, Xhemal Qefalia dhe Gentian Bejko, e kanë ndjekur nga pas dhe pasi e kanë fyer për shkak të detyrës dhe fjalës së mbajtur në mbledhje, e kanë sulmuar atë fizikisht”.
Deputeti demokrat Gent Strazimiri dhe ai socialist Xhemal Qefalia janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin në derën e tualetit të Kryesisë së Kuvendit teksa në sallën e komisionit të Ligjeve raportonte ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.
Për të shuar sherrin, por që në fakt e ka ndezur më keq, deputeti socialist Armando Prenga ka përfunduar duke rrahur me rripin e tij të pantallonave Strazimirin, të cilin mësohet se e ka shtrirë në tokë.
Gjithçka mësohet se ka nisur në Komisionin e Ligjeve, teksa më herët raportonte ministri i Drejtësisë Nasip Naço për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në seancë të thirrur nga deputeti Armando Subashi, kur deputeti Strazimiri ironizoi kontrollin që deputetët socialistë po kryejnë në Shërbimin Informativ Shtetëror.
Por deputeti socialist Xhemal Qefalia, i cili ishte shkëputur për pak moment nga mbledhja, është njoftuar me telefon që Strazimi e ironizoi në komisionin e Ligjeve. Mësohet se Qefalia në ato moment ka qenë në tualet, dhe vetëm pak momente më pas në derën e tualetit të kryesisë është shfaqur edhe deputeti Strazimiri.
Socialisti Qefalia i ka kërkuar Strazimirit të mos i përmend më emrin, por ai i është përgjigjur me shuplakë, ndërsa Qefalia ia ka kthyer me grusht.
Pas kësaj kolegu i majtë i Qefalisë, Armando Prenga, ka përfunduar duke rrahur me rripin e tij të pantallonave Strazimirin, të cilin mësohet se e ka shtrirë në tokë.
Por, koalicioni i qelbësirave nuk do të jetë kurrë më i madh se mazhoranca e shoqërisë shqiptare.
DEKLARIME
Deputeti i Durrësit Gent Strazimiri (PD):
“Unë nuk jam boksier, nuk kam dashur asnjëherë të jem boksier.
Kam një amanet nga im atë, që thoshte se i pasur është ai që i mjafton ajo që ka.
Mendoni se do më mbyllni gojën me një bandë lepujsh, se ashtu janë, po nuk do ja arrini.
Lexova ato që shkruanin gazetat, por burrë që të më shtrijë mua në tokë nuk ka.
Kam marrë mesazhe që t’u çaja fytyrën, por unë nuk i ndyj duart”.
Deputeti i Durrësit Oerd Bylykbashi (PD):
“Ka ndodhur diçka e rëndë në Kuvendin e Shqipërisë, sapo është goditur një deputet i opozitës, sepse bëri detyrën e vet, ngriti problemet, denoncoi, atë që bën kjo opozitë. Është e kotë të vazhdohet diskutimi, ky Komision ka marrë fund, është totalisht i kapur. Ne nuk qëndrojmë më në këtë Parlament”
PS:
“Opozita ka adoptuar politikën e Penelopës, prish natën atë çka ka bërë ditën. Të njëjtin mesazh tentoi të përcillte sot ish-kryetari i bashkisë, sot në krye të SHQUP-it, kur shfaqjen e turpshme në Parlament nxitoi t’ia faturonte mazhorancës, ndërkohë që shfaqje të tilla thjesht dhe vetëm duhen dënuar, pasi asnjë deputet që angazhohet në konflikt nuk mund të justifikohet, as kur ndodh si sot që një deputet i mazhorancës goditet i pari nga një deputet i opozitës”.
Shënim:
“Dyrrah”-u i kërkoi takim njërit prej personazheve të ngjarjes, deputet, kryetar i PS i fshatrave të Durrësit, inxhinier nafte, z. Gentian Bejko, takim për të cilin ai ra dakord, por “i bëri naftën”, nuk hapi më telefonin dhe nuk iu përgjigj një SMS-je.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





