5 qershor 2014 – Janë të paktën pesë klube të Kategorisë Superiore për edicionin e shkuar në “listën e zezë” të Komisionit Europian, kur flitet për dyshime për trukime të ndeshjeve. Lajmi është bërë i ditur nga thuajse të gjitha mediat europiane dhe botërore pas raportit 2013-2014 të prezantuar në Parlamentin Europian nga “Federbet” (Federata Europiane e Operatorëve të Sektorit të Basteve), e cila ka si qëllim parësor luftën kundër trukimit të ndeshjeve. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që skuadra e tij të jetë e përfshirë në afera trukimesh. “Së pari, më duhet të saktësoj se mbaj përgjegjësi vetëm për ekipin tim dhe nuk ka pikë dyshimi që Teuta është jashtë këtyre aferave. Se çfarë bëjnë kundërshtarët me të cilët luan skuadra ime, kjo nuk na përket neve. Ndodh që ndonjëherë një skuadër për interesa të veta kërkon të humbë patjetër, por kjo nuk do të thotë se skuadra që fiton ka përgjegjësi. Teuta ka luajtur në mënyrë korrekte. Unë vetëm kaq mund të them”, – u shpreh ai. Sa u përket ndeshjeve të dyshuara në Europë kundër Dacia Kishinaut, Hasanbelliu deklaroi: “Në Durrës fituam me meritë të plotë dhe kjo nuk duhet të diskutohet nga askush. Në Moldavi, në fakt, pati presion ekstra-futbollistik. Mendoj se pati aq shumë presion mbi ekipin tonë, saqë kjo ndoshta ndikoi edhe në fatet e ndeshjes. Ne menduam edhe të bënim një ankesë në UEFA, por më pas vendosëm të mos e bënim, sepse në fund të fundit rezultati nuk do të zhbëhej më”, – u shpreh kreu i klubit durrsak.

Ndeshjet e dyshuara

LUSHNJA-TEUTA (0-2) – Kjo ndeshje i përket javës së 31-të të Kategorisë Superiore, luajtur më 30 prill në “Roza Haxhiu”. Për kompaninë “Federbet”, rezultati 0-2 i këtij takimi dyshohet si i trukuar. Për “2″-in (fitoren e Teutës) janë vënë shuma të mëdha parash, ndaj edhe për kompaninë kjo ndeshje duhet të hetohet deri në detaj, pasi rezultati ka qenë i fiksuar.
KASTRIOTI-TIRANA (2-3) – Edhe ky takim është luajtur në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë. Në raportin e vet kompania e shikon “2″-in, fitoren e bardhebluve, si tejet të parashikueshëm, ndaj edhe për këtë takim janë vanë shuma të mëdha parash. Për kronikë, Tirana fitoi një nga takimet më të lehta të fazës së tretë.
TEUTA-DAÇIA (3-1) – “Federbet” raporton se rezultati i këtij takimi ka qenë i fiksuar, ndaj janë luajtur shuma të mëdha për fitore të vendësve dhe se do të shënoheshin të paktën tre gola. Ashtu ndodhi.
DAÇIA-TEUTA (2-0) – Akoma më “i frikshëm” rezultati i takimit të kthimit që, sipas raportit të kompanisë europiane, jo vetëm që është fiksuar për “1″, fitore të vendësve, por edhe se ndeshja do të dilte me rezultat të saktë, 2-0.
KARAGANDY-SKËNDERBEU(3-0) – Për këtë takim “Federbet” saktëson se janë luajtur shuma të mëdha se shënoheshin vetëm tre gola. Dhe vendësit shënuan golin e tretë (ndoshta rastësisht), në minutën e 90-të.
SKËNDERBEU-SHAKHTER (3-2) – Ndërsa për këtë ndeshje është vënë bast se do të shënoheshin mbi katër gola. Në fakt basti u kap që në minutën e 38-të të pjesës së parë, kur rezultati shkoi 3-1 për korçarët.

/agjencia e lajmeve Dyrrah /