5 qershor 2014 – Shqipëria ka pësuar humbjen e dytë radhazi në “trisin” e miqësoreve në kapërcyell të muajve maj-qershor. Ndëshkohemi sërish në dhjetë minutat e fundit, falë gabimeve tona. Nëse ndaj Rumanisë, katër ditë më parë, bënim gafë në mbrojtje dhe ndëshkoheshin në minutën e 83-të, kësaj here e kemi pësuar nga pika e bardhë e penalltisë. Humbja ka qenë po minimale, ndërsa 11-metërshin ia kemi “dhuruar” kundërshtarit. Ndërhyrja nga pas dhe fare e pakuptimtë e Kaces, kur kundërshtari mbulohej nga përpara prej Canës, bën që të prishet ekuilibri rezultativ dhe të na ikë nga duart një barazim pa gola. Hungaria shënon në portën e Berishës dhe thellon rekordet në përballjet me kuqezinjtë. Përvec humbjes më të thellë në histori, 12-0 ndaj hungarezëve, vijojmë të mos dimë c’është goli dhe fitorja ndaj këtij kundërshtari. Po ashtu, një tjetër miqësore dëshmon se jemi larg asaj që kërkohet nga De Biazi dhe të tijtë. Lodhja fizike, e përdorur si justifikim nga italiani pas dështimit me rumunët, ishte evidente te tanët edhe në Budapest, por fundsezoni është një peshë e rëndë edhe për kundërshtarët me të cilët u përballëm, jo vetëm për ne. Eksperimenti i radhës, me Canën në mesfushë dhe dyshen Curri-Mavraj në prapavijë, rezultoi i pasuksesshëm, ndërkohë që mbetet të shpresojmë se me rikthimin e tiutullarëve të tillë si Basha, Meha, Sadiku, Cani e të tjerë të tregojmë tjetër fytyrë. Starti i eliminatoreve të “Euro 2016” nuk është larg. Përkundrazi, fillimshtatori është afër, ndërkohë që koha një dispozicion të De Biazit sa vjen e limitohet. Testi i radhës ndaj San Marinos modeste pas katër ditësh ndoshta do të shërbejë për ta larguar sadopak shijen e keqe që lanë dy miqësoret e para të “trisit” të kësaj vere, por nuk mund t’i “shurdhojë” sadopak këmbanat e alarmit që bien në kampin kuqezi. Shqipëria dhe Hungaria janë përballur mes tyre gjashtë herë në histori. Kuqezinjtë tanë njohin humbjen më të thellë me këtë kundërshtar, në shifrat tenistike 12-0, regjistruar më 24 shtator 1950 në Budapest. Dy kombëtaret në fjalë ishin ndeshur mes tyre për herë të fundit më 28 mars 2009, në ndeshjen e kthimit kualifikuese të “Botërorit 2010”. Kuqezinjtë e drejtuar asokohe nga holandezi Ari Han mundeshin minimalisht në “Qemal Stafa” (shënonte Torgelle në 38’), ndërkohë që ndeshjen e parë në Budapest e kishin humbur 2-0 (shënonin Torgelle 49’ dhe Juhasz 82’). Në total, nga gjashtë ndeshje të luajtura mes Hungarisë dhe Shqipërisë, kuqezinjtë tanë kanë marrë vetëm një barazim të bardhë, në vitin e hershëm 1948, ndërsa janë mundur pesë herë të tjera. Golaverazhi është i thellë për hungarezët, në shifrat 18:0. Pra, Shqipëria nuk ia ka dalë të shënojë qoftë edhe një gol të vetëm në portën hungareze, edhe pse ka luajtur pesë herë ndaj tyre.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/