Tiranë 5 qershor 2014 – Bazuar në gjetjet dhe analizën e bërë, rezulton se sistemi MSHM i administruar nga Star Broker krijon mundësi për ndarje të tregut dhe caktim në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve (primeve) të shitjes së produktit të policës së sigurimit për mjetet motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, pasi efekti i çdo veprimi në ketë treg me anë të këtij sistemi është i menjëhershëm dhe ka shtrirje në të gjithë tregun.

Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka nisur hetimin e thelluar në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta mbi nëntë kompani, përkatësisht: Sigal Uniqa Group Austria, Sigma Vienna Insurance, Atlantik, Intersig VIG, Interalbanian VIG, Alb – Siguracion, Insituti i Sigurimeve, Eurosig dhe Ansig.
Mësohet se inspektorët e Autoritetit kanë ndërmarrë kontrolle dhe kanë kërkuar informacione nga : Byroja Shqiptare e Sigurimeve, shoqëritë e brokerimit që veprojnë në këtë treg, si dhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Gjatë procedurës së hetimit paraprak në tregun e sigurimeve të detyrueshme Autoriteti i Konkurrencës ka evidentuar disa konstatime për mungesën e zgjedhjes konsumatore nga sistemi MSHM i administruar nga Star Broker të policës së sigurimit për mjetet motorrike, si dhe kompanitë e sigurimit rreth 94% te tregtimit te policës në tregun e MTPL e tregtojnë nëpërmjet sistemit MSHM të administruar nga Star Broker.
Ndërkohe pa u shqyrtuar raporti hetimit paraprak nga Komisioni i Konkurrencës, duke marre shkas nga mediat e shkruara në lidhje me një rritje të primeve të policave të sigurimit të MTPL-se më date 11 Shkurt 2014, inspektorët realizuan një monitorim në tregun e sigurimeve ne lidhje me primet e aplikuara për këto lloje policash sigurimi sipas parashikimeve. Nga monitorimi rezultoi se me date 11 Shkurt 2014, primet e aplikuara janë rritur në mënyrë të menjëhershme dhe në të njëjtin nivel nga të gjitha shoqëritë e sigurimit për të gjitha kategoritë e këtij lloji police sigurimi.
“Duke marrë parasysh që në bazë të Ligjit nr 10 455, datë 21.07.2011, “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 10 076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, neni 10, pika 2 “shoqëritë e sigurimit i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut”, caktimi i çmimeve nga të gjitha kompanitë e sigurimit (9 shoqëri) në mënyrë të menjëhershme dhe në të njëjtin nivel mund të përbëjë shkelje të nenit 4, pika 1, germa a të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” i ndryshuar.
Bazuar në gjetjet e mësipërme, në bazë të nenit 24, shkronja d, dhe nenit 42 të Ligjit nr 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 305, datë 14.02.2014 vendosi për zgjatjen e periudhës hetimore të hetimit paraprak për tregun e sigurimeve të detyrueshme për përgjegjësitë ndaj palëve të treta deri më datë 28.02.2014.
Në bazë të nenit 35 dhe 36 të Ligjit nr. 9121, dt 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, autorizimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 69, datë 14.02.2014, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës ka realizuar inspektime për gjetjen e evidencave direkte dhe indirekte të një marrëveshje bashkëpunimit të mundshme midis konkurrentëve ose të një praktike të bashkërenduar mes kompanive”, bën të ditur Autoriteti.
Nga inspektimet e befasishme pranë ndërmarrjeve të sigurimit, Byrosë Shqiptare të Sigurimit, Star Broker Albania dhe Shoqatës së Siguruesve, janë administruar evidencat si vijon:
a) Vendimi nr. 12 datë 07.02.2014 “Mbi miratimin e Shoqërisë Anonime Star Broker Sha” i Asamblesë së Përgjithshme të Anëtareve që përcakton të gjitha shitjet e policave të sigurimit të detyrueshëm TPL nga çdo shoqëri sigurimi do të kryhen përmes sistemit Star Broker;
b) Vendimi nr. 36 datë 21.11.2013 “Mbi arkëtimin e primeve te produktit police kufitare” sipas të cilit të gjitha shitjet nga çdo shoqëri sigurimi do të kryhen përmes sistemit Star Broker, si dhe do të arkëtohen në një llogari të vetme qëllimore bankare dhe të njoftohet BKT se kjo llogari bankare do të administrohet nga Star Broker;
c) Vendimi nr. 34 datë 21.11.2013 “Mbi miratimin e Shoqerise Anonime Star Broker Sha” me anë të të cilit është vendosur miratimi i Shoqërisë Anonime Star Broker sha për shitjen e policave karton jeshil;
d) Vendim i Asamblesë nr. 25 datë 26.06.2013 “Mbi prodhimin, administrimin, tregtimin e policës për sigurimin e detyrueshëm kufitar dhe kartonin jeshil” sipas të cilit primet e sigurimit të policës së sigurimit kufitar dhe kartonit jeshil të shoqërive të sigurimit derdhen në një llogari qëllimore nën administrimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, ose të një personi juridik të autorizuar prej saj;
Këto vendime mund të krijojnë kushte për një kufizim të konkurrencës referuar nenit 4 të Ligjit “Per mbrojtjen e konkurrencës”.

Nga analiza e evidencave ekonomike u konstatua se:
1) Gjatë muajit Janar 2014, volumet e shitjeve te produktit MTPL nëpërmjet sistemit Star Broker, krahasuar me volumet e shitjeve të pasqyruara nga AMF, përbejnë 96,9% te vlerës totale te primeve te shitjes se këtij produkti.
2) Të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregun e MTPL-së së brendshme, më datë 11 shkurt 2014 kanë aplikuar prime të shitjes pothuajse të njëjta, për të njëjtën klasë, për të gjitha kategoritë. Këto tarifa janë mbajtur të fiksuara (3 ditë) deri më datë 13 Shkurt 2014. Insig në datë 13 Shkurt 2014 reagon duke ulur tarifat, si dhe me date 14 reagojnë te gjitha ndërmarrjet e tjera duke aplikuar tarifa te ulëta.
Nga inspektimi i sistemit MSHM është konstatuar se reflektimi ne sistem i ndryshimit te tarifave për kategoritë MTPL është kryer ne te njëjtën kohe pavarësisht nga momenti i kërkesave për ndryshim te ndërmarrjeve respektive. Në disa raste thjesht kërkohet të ndryshohen tarifat pa përcaktuar se kur; në disa raste te tjera kërkesa është paraqitur pranë Star Broker pasi tarifat janë ndryshuar në sistem; në disa raste tarifat janë ndryshuar me një apo dy dite vonesë referuar datës së kërkesës. Pavaresisht nga momenti i kerkesave per ndryshimin e tarifave, ne sistemin MSHM, ato janë ndryshuar ne te njëjtën dite për te gjitha shoqëritë, me përjashtim te shoqërisë INSIG e cila ne momentin e dyte te ndryshimeve ka ndryshuar tarifat qe me date 13.02.2014 (pothuajse ne fund te ditës se punës).
4) Duke marrë parasysh që në bazë të Ligjit nr. 10455, datë 21.7.2011 “Për disa ndryshime në Ligjin nr.10 076, datë 12.2.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, nenin 10, pika 2 “shoqëritë e sigurimit i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut.” Aplikimi i çmimeve te produktit police e brendshme te sigurimit motorik MTPL nga të gjitha kompanitë e sigurimit në mënyrë të menjëhershme, dhe në të njëjtin nivel, mund të ketë ardhur si pasojë e një marrëveshje të ndaluar, e cila përbën shkelje të nenit 4, pika 1, të Ligjit nr 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” i ndryshuar.
Bazuar ne gjetjet dhe analizën e bërë, rezulton se sistemi MSHM i administruar nga Star Broker krijon mundësi për ndarje të tregut dhe caktim në mënyrë të
drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve (primeve) të shitjes së produktit të policës së sigurimit për mjetet motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, pasi efekti i çdo veprimi në ketë treg me anë të këtij sistemi është i menjëhershëm dhe ka shtrirje në të gjithë tregun.
6) Star Broker duket qartë se nuk luan rolin e mirëfilltë të një brokeri ose një shoqërie të mirëfilltë brokerimi në sigurime, pasi luan rolin e ofruesit të shërbimit të administrimit të sistemit të tregtimit të policave TPL praktikisht për të gjitha shoqëritë e sigurimit dhe rolin e shpërndarësit të policave të prodhuara nga BSHS.